Ngritet aktakuzë ndaj fajdexhinjëve të ‘Vranjevcit’

Burime bëjnë me dije që Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj pesë të dyshuarve për “fajde”, “detyrim” dhe “pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”, në mesin e të cilëve janë Dalip Brahimi, Lulzim Berisha – “Luli” dhe Alban Geci.

Më herët Gazeta Blic, raportoi përmes burimeve të veta, se këta persona janë liruar gjatë ditës së sotme nga burgu.

Burime brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se atyre i është ndërruar masa e paraburgimit në arrest shtëpiak.

Në mesin personave të liruar nga burgu është edhe Anëtari i degës së AAK-së në Kodrën e Trimave në Prishtinë, Dalip Brahimi dhe Lulzim Berisha, kryetar i tifoz-grupit “Dardanët”.

Përveç tyre, edhe Rrahim Berisha, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, janë dërguar në arrest shtëpiak, megjithëse siç mëson “Gazeta Blic” Gjykata Themelore në Prishtinë ka poseduar prova të mjaftushme materiale që implikojnë këtë grup në rastet e fajdeve. Në opinion, ky grup personash janë të njohur si “të rrezikshmit e Vranjevcit”.

Dalip Brahimi, siç mëson Gazeta Blic është person i afërt me Enver Sekiraqen.

Madje, ai kishte mbetur i plagosur në incidentin me armë në të cilin ishte i përfshirë Sekiraqa, pasi që ai ishte bashkë në automjetin e njëjtë me të, kur vetura u gjuajt me armë.

Brahimi ka qenë i akuzuar edhe më parë në një rast për pastrim parash me toka në Çagllavicë, përfshirë Mehmet Prishtinën, shoferin e Azem Sylës, Arton Vilën dhe biznesmenë të lidhur me PDK-në, siç është Bejtush Zhugolli.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE