Nisma me qëndrim ‘befasues’ për taksën 100% dhe rrëzimin e Qeverisë

Partneri i vogël i koalicionit PAN, Nisma për Kosovën më parë do të preferonte rrëzimin e qeverisë, sesa heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Njëri nga themeluesit e këtij subjekti, Jakup Krasniqi, i ka kërkuar qeverisë të mos heqë dorë nga taksa e vënë para 2 muajsh.

“Ndoshta ‘arroganca’ e treguar ndaj mikut, një ditë edhe ka mundësi të kuptohet e mirëkuptohet, por nënshtrimi për interesa a frikë personale, për cilindo ‘gabim’ të djeshëm, nuk mund ta justifikojë përuljen karshi armikut shekullor. Në një situatë të tillë, për Kryeministrin e Kosovës, çdo variant i shkuarjes në zgjedhje është më i mirë, sesa heqja eventuale e taksës ndaj Serbisë. Kursi i ri duhet vazhduar!”, ka shkruar Krasniqi.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se do të ishte naivitet i papranueshëm, nëse shpjegohet se raportet në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën varen nga heqja e taksës që Kosova ia ka vendosur Serbisë.

Në një intervistë për KosovaPressin, ai ka folur edhe për bisedimet me Serbinë derisa tha se Qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet për shumë çështje të tjera, por jo për taksën e vënë.

Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, e ka quajtur Qeverinë e Ramush Haradinajt dhe këtë koalicion si më të dobëtit që ka pasur Kosova.

Për këtë, Hoti ka thënë se vazhdimisht po ndërmarrin hapa për të ndaluar këtë qeverisje.

“Nga shtatori 2018, ne kemi përdorur fuqinë e votës tonë për të pamundësuar kuorumin në seancat e Kuvendit me qëllim të dëshmimit para qytetarëve pafuqinë dhe mungesën e legjitimitetit të këtij koalicioni për të qeverisur. Ne do të vazhdojmë më tutje me hapa të tjerë për të ndaluar këtë qeverisje”, ka shkruar Hoti në faqen e tij në Facebook.