Një cirk që na kushton shtrenjtë

Shumë shtrenjë po na kushtojnë institucionet të cilat, në vend se të ofrojnë zgjidhje për problemet e qytetarëve, prodhojnë sharje, fyerje, papërgjegjësi e inate. Një parlament që është shndërruar në cirk për “argëtimin” e qytetarëve, një qeveri që po dështon të menaxhojë një situatë fatkeqe.

Imer Mushkolaj

Të gjithë ata që e kanë ndjekur seancën e fundit të Kuvendit të Kosovs e kanë parë “live” se si deputetë të zgjedhur nuk e kanë fort dert se çfarë ndodh me qytetarët, respektivisht nëse shumë nga ta kanë mundësi të sigurojnë gjërat elementare për jetesë. Si pasojë e mosvotimit të buxhetit të rishikuar, të gjithë punëtorët që është dashur t’i marrin 170 eurot e qeverisë dhe të tjerë të papunë, që është dashur t’i marrin 130 kanë mbetur pa këto para, sepse deputetët kanë zgjedhur të merren me llafe e muhabete të tjera, e jo të ngrenë dorën për buxhetin.

Mund ta kuptoj arsyetimin e deputetëve të Lëvzjes Vetëvendosje që buxhetin le ta votojnë ata që zgjodhën ta rrëzojnë Qeverinë Kurti në mes të pandemisë, por në këtë rast nuk kemi të bëjnë vetëm me qytetarë që kanë votuar partitë që rrëzuan qeverinë dhe krijuan të renë, por me qytetarë që janë mbështetës të të gjitha opsioneve politike.

Mungesa e vullnetit politik për të kaluar në Kuvend jo vetëm buxhetin, por edhe marrëveshje ndërkombëtare që do të mundësonin ndihmë financiare në një situatë mjaft të rëndë, tregon se sa me inat e mosdurueshmëri funksionon politika në Kosovë, se si deputetë e qeveritarë janë në gjendje të rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve, vetëm për kënaqur egot e veta individuale e partiake.

Gjatë diskutimeve të deputetëve Kuvendi më tepër ngjante në arenë akuzash e kundërakuzash, sesa në institucionin më të lartë ligjvënës në të cilin do të duhej diskutuar çështje të rëndësishme për jetën e qytetarëve. Dhe, çfarë mund të ketë më të rëndësishme në këtë kohë se çështjet që kanë të bëjnë me jetesën e mbijetesën e qytetarëve, çështje që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve në një situatë me pandeminë që thuajse ka dalë jashtë kontrolit?

Për inate politike, e jo arsye logjike, Qeveria Hoti e konsideroi të panevojshëm projektligjin për pandeminë. Sipas qeverisë, menaxhimi i pandemisë është mjaftueshëm i rregulluar me legjislacionin në fuqi. Projektligji është inicuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani të cilën LDK tashmë e ka përjashtuar nga organet drejtuese dhe kjo qasje e qeverisë nuk është gjë tjetër veç hakmarrje ndaj saj. Punë e madhe se me këtë ligj, të rekomanduar edhe nga Gjykata Kushtetuese, pandemia do të menaxhohej më mirë. Kryesorja të mbizotërojnë inatet personale, karshi arsyes dhe logjikës.

* * *

Kur Qeveria Kurti u rrëzua në mars, një ndër arsyetimet e atyre që ngrenë dorën ishte se pandemia nuk po menaxhohej mirë. Më shumë se një muaj pasi qeveria e re mori detyrën, situata është alarmante.

Masat e rekomanduara nuk zbatohen si duhet, kinikat e repartet infektive janë stërmbushur, e numri i të vdekurve është rritur drastikisht. Qeveria nuk po arrin të menaxhojë gjendjen si duhet, e as të zbatojë masat e parapara.

Po të procedohej në Kuvend ligji për pandeminë, gjithçka do të menaxhohej më lehtë. Baza ligjore për ndëshkimet ndaj atyre që nuk i respektojnë masat nuk do të ishte e kontestueshme, ashtu si dhe vendimet tjera në funksion të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

Ndërkohë, me numrin e zëvendësministrave të emëruar, qeveria po funksionon me logjikën e koalicionit PAN. Ministra të caktuar po zhvleftësojnë vendime të paraardhësve të tyre – jo pse kan qenë të këqija, por veç për inati. E Lista Serbe vazhdon ta sfidojë ekzekutivin, duke folur haptazi për respektim të vendimeve që vijnë nga Beogradi.

Kështu, vetëm pas dy ditësh që Beogradi vendosi për masat e kufizimit të lëvizjes në veri të vendit, reaguan institucionet e Kosovës. Për më keq, pjesëtarët e Policisë së Kosovës për dy ditë, më 7 e 8 korrik zbatuan vendimin e qeverisë serbe për kufizimin e lëvizjes. Pra, deri sa Qeveria Hoti nxori vendimin për kufizimin e lëvizjes, policia kosovare zbatoi masat e një shteti tjetër. Një numër tjetër cirku për masat kufizuese, në përpjekje për të arsyetuar pafuqinë e veprimit karshi Listës Serbe, nga votat e së cilës varet dhe karshi Beogradit, nga i cili varet Lista Serbe.

* * *

Deputetë e ministra mbase do të vepronin ndryshe, po që se pagat dhe privilegjet e tyre do të kushtëzohshin nga miratimi i buxhetit. Nuk do të gjenin kohë për budallallëqe, por do të vepronin shpejt për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset. Por, përderisa pagat marramendëse i marrin në fund të muajit – ndonjëherë edhe pse janë mbledhur vetëm në një seancë koti – nuk e kanë fort dert se qytetarët nuk i kanë përfituar ende 130 e 170 eurot. Shtrenjtë po na kushton cirku i tyre.

SHPËRNDAJE