Një delegacion i OSBE-së mbërrin në zyret e Vetëvendosjes

Sot, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe anëtarët e Kryesisë, Arben Vitia dhe Kreshnik Ahmeti, pritën në takim delegacionin nga OSBE, të udhëhequr nga përfaqësuesi i Komisionarit të Lartë për Pakicat Kombëtare, Alessandro Rotta, i cili ishte i shoqëruar nga zyrtarja politike kombëtare, Drita Gjeli dhe asistenti Miquel Vidal Bover.

Rotta njoftoi zyrtarët e Lëvizjes mbi misionin e Komisionarit të Lartë për Pakica Kombëtare dhe projektet të cilat ka për Republikën e Kosovës.

“Misioni i përmirësimit të raporteve mes komuniteteve në Kosovë synohet të arrihet nëpërmjet projekteve të edukimit dhe mësimit të gjuhëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Tutje, Rotta u interesua për programin e Qeverisë së re të drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, në raport me komunitetet pakicë në vend”.

“Mulhaxha-Kollçaku e njoftoi delegacionin mbi dialogun e brendshëm të cilin do ta realizojë Qeveria e re, e që do të fillojë që nga java e parë e qeverisjes. Synimi i këtij dialogu do të jetë që të dialogohet mbi çështjet socio-ekonomike të komuniteteve në vend dhe të gjendet zgjidhje për to drejt integrimit të të gjitha komuniteteve.

Për mundësitë e këtij dialogu, Vitia tregoi përvojën e tij si drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies në Komunën e Prishtinës, ku shumë çështje socio-ekonomike të komuniteteve nuk ishin zgjidhur deri atëherë, për shkak të mungesës së komunikimit dhe mirëbesimit.

Ahmeti njoftoi zyrtarët e OSCE se si qeveria e ardhshme do t’i vlerësoj të gjitha marrëveshjet e deritanishme të qeverive të kaluara me Serbinë para se ta fillojë dialogun e ri, i cili për dallim nga e kaluara, do të bazohet mbi parime të qarta dhe raporte reciproke.

“Në fund, palët u pajtuan që të mbesin në kontakt edhe më tutje, për t’u njoftuar me zhvillimet e reja dhe për të ndërtuar bashkëpunim të frytshëm drejtë integrimit të të gjitha komuniteteve në vend”.

SHPËRNDAJE