Një ditë para mbledhjes Molliqaj tregon nëse do të kandidojë për kryetar

Pas problemeve dhe mosmarrëveshjeve të brendshme që dolën në publik Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendimin që nesër të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues për të diskutuar sy me sy këtë situatë.

E gjitha nisi pasi u publikuan në media disa e-male top-sekret që flitej për një ofendim që Aida Dërguti i kishte thënë Albin Kurtit.

E vetëm disa orë më pas u publikua saktësisht edhe ofendimi që Dërguti kishte përdorur dhe duke pritur që kjo të përgënjeshtrohej nga Vetëvendosje ndodhi e kundërta.

Aida Dërguti jo vetëm që pranoi ofendimin por pas një kërkimfalje foli edhe për probleme të brendshme të Vetëvendosjes duke hapur kështu një mori akuzash ndërmjet anëtarëve të kësaj partie.

Dërguti pas kësaj dha dorëheqje nga anëtarja e kryesisë dhe nga kordinatorja e qendrës në Vushtrri. Ndërkaq ajo konfirmoi për albeu.com se nuk është larguar nga anëtarësia e Vetëvendosjes.

Por grindjet nuk mbaruan me kaq pasi ish-sekretari i kësaj partie Dardan Molliqaj doli hapur në media duke thënë se Albin Kurti duhet t’i pranojë disa sugjerime dhe të ndryshojë disa gjëra brenda partisë pasi sipas tij sot është një situatë e ndryshme. Ai përmendi disa mospajtime me Kurtin e njëra ndër to ishte që Molliqaj e kishte kundërshtuar një koalicion me partinë Fjala të Gëzim Kelmendit.

Ndërkaq albeu.com e pyeti Dardan Molliqaj për një kandidim të mundshëm në rast se mbahen zgjedhjet e parakohshme për kryetar ky i fundit nuk e pohoi dhe as nuk e mohoi një gjë të tillë. Ai tha se po bëhen përpjekje që të kalohen këto mosmarrëveshje.

“Ne jemi duke u përpjekur që ta tejkalojmë këtë problem dhe të vazhdojmë të bashkuar.“ tha Molliqaj për albeu.com.

Kjo luftë e brendshme e Vetëvendosjes është një suprizë për shqiptarët e Kosovës dhe jashtë saj pasi Vetëvendosje ishte në një moment që kishte dalë e para si parti në zgjedhjet e përgjithshme dhe fitoi komunat e Prishtinës, Prizrenit dhe Kamenicës.

Ndërsa mister mbetet qëndrimi i Shpend Ahmetit për këtë cështje pasi nuk e ka komentuar në publik. Madje albeu.com e ka pyetur Ahmetin nëse synon të garojë për kryetar por ky i fundit ka preferuar të mos përgjigjet.

Tashmë nesër pritet të dalin vendime nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm që do të mbahen në orën 11:30.

Vlen të theksohet që Albin Kurti ende nuk ka folur në publik dhe të tregojë qendrimin e tij për këtë situatë.

SHPËRNDAJE