Një muaj nga arrestimi i Gucatit dhe Haradinajt nga forcat e EULEX-it

Njësitë Speciale të Misionit Ndërkombëtar EULEX rreth orës 12:00 të datës 25 shtator kishin bllokuar derën e zyrës së OVL të UÇK-së në Prishtinë.

Qëllimi i këtij zbarkimi të forcave policore të EULEX ishte të arrestonin krerët e kësaj organizate.

Hysni Gucati, kryetar i OVL të UÇK-së doli me duar në pranga nga zyra e punës së tij.

“Pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 25 shtator 2020, Hysni Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhej në njofimin e Dhomave të Specializuara.

E nënkryetari, Nasim Haradinaj u arrestua në mbrëmjen e asaj nate gjersa ishte duke shkuar në një emision.

Haradinaj nuk kishte pranuar të transportohet me veturë te EULEX-it, por vetëm me të Policisë së Kosovës.

Nesër bëhen një muaj që të dy u arrestuan nën pretendimet për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve në lidhje me dokumentet e rrjedhura nga rastet e krimeve të luftës.

Deri tani të dy palët kanë dalë vetëm njëherë në gjyq në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë staf ndërkombëtar.

Ato u krijuan nën presionin e madh të aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ishte aq i fuqishëm sa të gjykonte çështje kaq të ndjeshme dhe të mbronte dëshmitarët.

Por e ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” shihet me përbuzje nga shqiptarët e Kosovës, që e konsiderojnë atë si një fyerje të luftës së UÇK-së për çlirim nga sundimi serb.