Një muaj paraburgim për vozitësin e kamionit të paregjistruar

Lidhur me aksidentin që ndodhi në Gjilan të enjten, ku mbeti i vdekur Qerim Çoçaj dhe u lënduan 23 persona, mbrëmë është arrestuar pronar i firmës së cilës i përkiste kamioni i përfshirë në aksident. Atij sot, Gjykata e Gjilanit i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit M. A.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me 7 mars 2019, në ora 14:05 minuta, i dyshuari M. A., ka shkaktuar aksident të rëndë komunikacioni, nga i cili aksident një person për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.Dyshohet që nga problemet teknike që ka pasur kamioni të cilin e ngiste, ka ardhur deri tek aksidenti”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë, Express raportoi më herët se kamioni që shkaktoi aksidentin e rëndë në Gjilan, dyshohet se nuk kishte regjistrim dhe nuk i punonte sistemi i frenimit.

Ndryshe, kamioni transportues ishte në shpejtësi të madhe dhe ka goditur gjithçka para vetes, duke shkaktuar aksident zinxhiror dhe shumë dëme në qytet.

Nga goditjet e kamionit ka mbetur i vdekur një person, dhe mbi 20 të tjerë kanë marrë lëndime. Disa prej të lënduarve po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e disa të tjerë të cilët janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, janë dërguar në QKUK. /Gazeta Express

SHPËRNDAJE