Një shtëpi jo si të tjerat (Foto)

Një shtëpi e përmbysur në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, e cila është ndërtuar nga një sipërmarrës dhe ka kushtuar thuajse sa një vilë, synon të vizitohet nga 100 mijë vizitorë.

E ndërtuar dhe patentuar nga sipërmarrësi Mehmet Emin Görmez, shtëpia e përmbysur është hapur për vizitorët, të cilët mahniten nga pamja e saj, përcjell AA.

Në shtëpi janë përdorur orendi të vërteta, si perde, lavatriçe, dollape, shtretër, mobilje të kuzhinës, të cilat, për dallim nga shtëpitë normale, janë të vendosura në tavan.

Për ndërtimin e shtëpisë janë nevojitur katër muaj, ndërsa ajo ka kushtuar 420 mijë lira (mbi 100 mijë dollarë), të holla këto me të cilat mund të ndërtohet vilë normale.

Görmez, i cili shtëpinë e parë të përmbysur e hapi në Antalia në vitin 2015 dhe të dytën në Ankara këtë vit, synon që shtëpinë e tretë të tillë ta hapë në Eskishehir dhe të katërtën në Stamboll.

Görmez për AA thotë se teksa për një ndërtesë normale përdoren afër nëntë tonë ndërtim çeliku, në shtëpinë e përmbysur janë përdorur 28 tonë, në mënyrë që ajo të jetë e qëndrueshme.

Duke theksuar se ka pasur interesim të madh për shtëpinë e hapur më parë në Antalia, Görmez shprehet se në shtëpinë e përmbysur në Ankara synojnë të arrijnë deri në 100 mijë vizitorë.

Në ndërkohë, Nihan Ünlü, një nga vizitorët e shtëpisë, thotë se shtëpia i ka pëlqyer në shumë, duke shtuar se ajo është zbavitëse për të gjitha grupmoshat.

“Është e çuditshme që orenditë janë të vendosura në tavan. Pamja e orendive që qëndrojnë lartë është shumë e bukur. Nuk kanë anashkaluar madje as hollësinë më të vogël brenda shtëpisë. Madje edhe hapja e dritareve nga ana e kundërt ishte e çuditshme”, theksoi Ünlü.

Edhe Neslihan Meşe tregon se ka ardhur ta vizitojë shtëpinë e përmbysur se bashku me nipat.

“Fëmijët kanë shumë dëshirë të shohin gjëra interesante. U zbavitën shumë kur erdhën këtu. Shtëpia qenka shumë e bukur”, tha Meşe.

SHPËRNDAJE