Njeriu i SHBA-së që ndihmoi hartimin e Kushtetutës së Kosovës: U pëlqeu apo jo, vendimin e GjK duhet ta respektoni

John Tunheim, që ka qenë këshilltari kryesor i dërguar nga qeveria e SHBA’së, për të ndihmuar hartimin e Kushtetutës së Kosovës, thotë se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin për kryeministër duhet të respektohet nga të gjithë, u pëlqeu apo jo.

“Kjo është në kundërthënie me sundimin e ligjit. Gjykata Kushtetuese është e obliguar me Kushtetutë që t’i marrë këto vendime dhe një vendim si ky nuk mund të kthehet nga ekzekutivi. Ky është sundimi i ligjit.

Gjykatat bëjnë përcaktime dhe mendoj se kjo është në kundërshtim me çfarëdo kuptimi modern të asaj se si funksionon ndarja e pushtetit mes gjykatave dhe qeverisë dhe për funksionimin stabil të një demokracie, Mendoj se të gjithë duhet t’i ndjekin vendimet e Gjykatës Kushtetuese, u pëlqeu apo jo.

Ka pasur vendime që unë nuk i kam favorizuar në të kaluarën kur i kam shikuar, por kjo është përtej synimit. Është Gjykata Kushtetuese dhe anëtarët e zgjedhur të saj që punojnë së bashku për ta zbatuar gjykimin e tyre më të mirë në një situatë aktuale dhe kur vendimi arrihet, ka marrë fund. Qeveria duhet ta ndjekë atë, presidenti duhet ta ndjekë atë, secili qytetar duhet ta ndjekë atë, sepse ky është sundimi i ligjit”, tha Tunheim për T7.

Gjyqtari Tonheim, gjithashtu ka ndihmuar në ristrukturimin e Kodit dhe Procedurës Penale në Kosovë.

John Tunhiem, ka punuar edhe në projekte zhvillimore të sundimit të ligjit Uzbekistan, Gjeorgji, Rusi, Mal të Zi, Jordani, Hungari, Bulgari, Maqedoni, Kazakistan, Kirgistan, Moldavi, Lituani, Nepal dhe Ukrainë, ndërsa tani udhëheq gjykatën në distriktin e Minesotës në SHBA.

SHPËRNDAJE