Njihuni me deputeten më të re në historinë e Kuvendit të Kosovës

Fjolla Ujkani është deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës. 22-vjeçarja nga Vushtrria u bë deputete nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ujkani tregon se në politikë ka qenë e kyçur edhe më parë si asambliste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë ku aty ka qenë më e votuar ndër gra e vajza.

Pos që është deputete, Fjolla merret edhe me sport. Thotë se është inspiruar nga Sajmir Ujkani që e ka edhe familjarë.

Për Tv Dukagjinin ajo tregon se në sportin ndërkombëtar është fanse e Manchester United.

Për shkak të angazhimeve të reja në politikë, e reja vushtrriase thotë se momentalisht luan vetëm basketboll gjatë vikendeve.

Deputetja thotë se vajzat e reja të mos kufizohen në ambicie dhe të synojnë të arrijnë sa më shumë në karrierë, pavarësisht se thotë “shoqëria jonë është patriarkale”.

Fjolla thotë se dëshira e saj ka qenë të jetë pjesë e Akademisë Ushtarake, por edhe në politikë ajo thotë se do t’i shërbejë vendit.

Deputetja vjen nga një familje tetë anëtarëshe ku ajo është më e madhja e pesë motrave dhe vëllait.

SHPËRNDAJE