Njohja e idealit

Shkruan: Shukri Klinaku

Një përgjigje në pyetjen e shtruar shpesh në këto vite: SI KA MUNDËSI QË DISA NGA UDHËHEQËSIT E LUFTËS PËR LIRINË E KOSOVËS, U BËNË NDËR FRYMË-ZËNËSIT MË TË MËDHENJ TË SAJ?)

Përmbledhje: Të gjithë ata që sot shkelin ligjin në Kosovë, korruptojnë dhe korruptohen – janë kundër lirisë dhe përparimit të vendit. Po nëse dikush prej tyre u angazhua për lirinë vendit? A vlen ky gjykim për ta? Vlen, absolutisht për të gjithë. Por, këta kishin ideal lirinë? Po, por, për shkak të MOSNJOHJES së plotë të idealit të lirisë dhe përparimit të vendit, pas luftës, ndërruan anë. Dolën në anën e frymë-zënësve të Kosovës. Dhe jo vetëm që i zënë frymën Kosovës, por këta frymë-zënës morën edhe jetë të qytetarëve. Për shembull, a nuk iu shkurtua jeta e shumë qytetarëve për shkak të korrupsionit qeveritarë me barna dhe me mjetet e domosdoshme për punën e mjekëve tanë?

Ideali është një qëllim i lartë i një njeriu a një grupi të organizuar të njerëzve. Ky qëllim i lartë është më i madh se sa dëshirat dhe qëllimet e rastit, të cilat i nënshtrohen qëllimit të lartë. Personi që bartë dhe punon pa ndërprerë për ideal – idealisti – nuk taktizon me idealin e vet. Shumë njerëz kanë së paku një ideal në jetë. Mirëpo, jo të gjithë punojnë fortë në realizim të idealit (idealeve) që kanë, prandaj me interes shqyrtimi janë vetëm idealet e njerëzve që punojnë shumë në realizim të idealeve e tyre. Është kështu, jo për fatin e bartësve të idealit, por sepse realizimi i idealeve të njerëzve punëtorë ose ndikon drejtpërdrejtë në fatin e masave, ose së paku u shërben atyre si model i arritjeve.

Për këtë arsye në vitet e fundit shpesh qytetarët pyesin për idealet e disa individëve të dalluar në luftë, të cilët pas luftës në radhë të parë dhe të fundit u angazhuan që të grumbullojnë pasuri prej miliona euro pa djersën e vet.

Idealistët e Kosovës së kohës gjatë luftës sot i gjen në 4 taborë:

1. Idealistë të qëndrueshëm – ata që jo vetëm gjatë luftës kanë bërë vepra të mira “të vogla”, por vazhdojnë të bëjnë gjithnjë edhe sot. Këta janë idealistë të qëndrueshëm, të heshtur, të cilët nuk i çmojmë sa duhet.

2. Idealistë të matur – ata që gjatë luftës janë shquar me kontribut dhe kanë ndihmuar ardhjen e lirisë, por pas luftës përsëri janë tërhequr në punët e veta, të ligjshme. Këta mbeten idealistë të matur dhe nuk lejojnë ta përlyejnë idealin e tyre.

3. Idealistë të mëdhenj – ata që si gjithherë, para, gjatë dhe pas luftës janë angazhuar me vetëmohim për liri dhe përparim të vendit. Sot këta idealistë, jo vetëm që nuk kanë denjuar ta kapitalizojnë kontributin e tyre në dëm të të tjerëve, por vazhdojnë ende luftën hapur kundër shkelësve të ligjit dhe kundër korrupsionit. Ata e bëjnë këtë kudo që gjenden, qoftë në politikë, qoftë në profesion tjetër. Të tillë, ka pak në numër.

4. Idealistë që ndërruan anë; mund të quhen edhe tradhtarë të idealit të kohës më të mirë të tyre – ata që janë shquar me kontribut gjatë luftës, por që pas luftës kanë bërë të gjitha veprimet për kapitalizuar atë kontribut për veti në dëm të të gjithëve. Këta ish-idealistë u bashkuan me të gjithë ata që sot e 20 vjet shkelin ligjin, korruptojnë dhe korruptohen, e të cilët faktikisht janë kundër lirisë dhe përparimit të vendit. A vlen kjo për ata që dje ishin në pozita të larta të udhëheqjes së luftës; pra, a vlen kjo edhe për Hashimin, Ramushin, Kadriun, Fatmirin etj. ?

Vlen, absolutisht për të gjithë. Por, këta kishin ideal lirinë? Po, e kishin! Por, për shkak të MOSNJOHJES së plotë të idealit të lirisë dhe përparimit të një vendi, pas luftës, jo vetëm këta, për të gjithë ata luftëtarë (“komandantë”) që shkelën ligjet dhe korruptuan dhe u korruptuan – ndërruan anë. Dolën në anën e frymë-zënësve të Kosovës. Dhe jo vetëm që i zënë frymën Kosovës, por këta frymë-zënës morën edhe jetë të qytetarëve. Mjafton të shikohet vetëm shëndetësia e Kosovës. A nuk u shkurtohet jeta e shumë qytetarëve për shkak të korrupsionit qeveritarë me barna dhe me mjetet e domosdoshme për punën e mjekëve tanë?

Për taborin e katërt flitet shumë sot. Si është e mundur të konvertohen idealistët e luftës deri në këtë masë? Përgjigja më banale që dëgjohet është kjo: ata kanë luftuar për të vjedhur. Kjo vije prej gojëkëqijve dhe palës tjetër të interesit, e sidomos prej atyre që njohuritë i kanë shumë të kufizuara. Një pakicë mendojnë se disa prej milionerëve të kundërligjshëm të sotëm – idealistë të djeshëm, prej kohësh ishin në shërbim të agjenturave anti-Kosovë. Edhe kjo nuk më bindë. Ka edhe përgjigje tjera.

Përgjigja ime është: idealistët e një kohe të artë, që ishin të gatshëm të japin edhe jetën e vet në atë kohë, e të cilët pas fitores së parë kanë ndërruar anë, ata e kanë bërë këtë për një arsye të vetme – NUK E KANË NJOHUR MJAFTUESHËM IDEALIN për të cilin janë angazhuar dikur. Nuk janë të ditur përgjithësisht. Nuk janë të aftë të jenë bartës të një ideali deri në fund.

Cilët janë përgjegjës për gjendjen jo të mirë në vend sot?

Dy taborët e parë të idealistëve, kurrsesi. Këto janë bashkësia më e madhe dhe shtyllat kryesore të vendit. Tabori i katërt, edhe pse janë keqbërësit më të mëdhenj, nuk mund të quhen përgjegjës të ndërgjegjshëm, sepse kaq patën dhe kanë në kokën e tyre. Ndihmuan vendin në një kohë dhe tash tërë jetën që u ka mbetur kërkojnë shpërblim prej tij. Paradoksalisht, përgjegjës për gjendjen më del të jenë tabori i tretë. Këta është dashur dhe duhet të angazhohen më shumë që Kosova të mos vuaj.

Autori është ish i burgosur politik dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Ka shumë vite që është profesor në FSHMN në Universitetin e Prishtinës.

SHPËRNDAJE