“Nuk jam mysliman”, kursi me çdo kusht perëndimor, i Haradinajt

Sa herë t’i jepet rasti për të folur për religjionin, kryesisht në media të huaja, Ramush Haradinaj e ka për qejf të deklarojë se nuk është mysliman, ndërkohë që elaboron duke përmendur të kaluarën e krishterë të familjes. Deklaratat e tij nevrikosin shumë kundërshtarë kosovarë, që janë me disponim të theksuar fetar(islamik), ndërsa bashkëpunëtorët thonë se Haradinaj në këtë mënyrë po e ndjek rrugën e Ibrahim Rugovës dhe kursin e tij për lidhje me Perëndimin.

Haradinaj, në këtë pikë është treguar jo populist duke thënë atë çfarë e mendon, por një portal, “Middle East Eye”, ku Haradinaj ka shpalosur përsëri këto qëndrime, konstaton se kosovarët po e zhvlerësojnë identitetin e tyre islamik për të lehtësuar rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Kur pyetej për religjionin nga mediat e huaja, ish –lideri i kosovarëve Ibrahim Rugova që mbante një kurs qartësisht pro –perëndimor edhe me veprime konkrete, nuk shfaqej shumë i prerë.

……………………………………………………………………………………………………………..
Shqiptari po festone fitoren e Kroacisë, por ja si e përdhos flamurin kombëtar ky tifoz kroat

……………………………………………………………………………………………………………..

“Jam mysliman simbolik” thoshte në mënyrë pak a shumë evazive lideri i pakontestueshmë i shqiptarëve gjatë viteve 90’te. I formuar dhe shkolluar si kritik letrar ai mbante lidhje të qartë me Perëndimin përfshirë lidhjet e forta me Vatikanin dhe me kreun e atëhershëm të Kishës Papa Gjon Palin e Dytë, Rugova nuk ka rrezikuar asnjëherë me deklarata.

Rrugën e tij në politikë e ka imituar krejtësisht edhe Presidenti Hashim Thaçi, sidomos duke e bërë destinacion të shpeshtë Vatikanin, por Thaçi për shkak të votave është treguar populist duke shkuar në xhami edhe përkrah liderit turk Recep Tayyip Erdogan duke bërë dua – diçka që nuk mund të paramendohej me Rugovën.

Një qëndrim të theksuar pro civilizimin perëndimor e ka mbajtur edhe Kadri Veseli kur kishte dalë kundër bizneseve turke duke favorizuar ato perëndimore. Madje Veseli refuzimin e tij ka çimentuar edhe më shumë duke mos pranuar të udhëtojë në Turqi dhe duke mbajtur në fiokë një ftesë të Kryeparlamentarit turk.

Por, kur është fjala për qasjen rreth fesë dhe orientimin qytetërues Haradinaj është më i hapur dhe më direkt se të gjithë.

Fillimisht, betejën e kishte nisur me myslimanët ekstremistë në Kosovë duke mos hezituar t’i quaj edhe “fëlliqtana”.

Ky gjest i Haradinajt kishte nxitur reagime të shumta. Si reagim ai kishte aranazhuar një takim me krerë fetarë të moderuar, përkrahës të islamit tradicionalë.

Se feja, myslimane, për të nuk ka rëndësi, Haradinaj e ka treguar edhe një herë në një intervistë për “Middle East Eye”

Ai përsërit se nuk është mysliman, por është shqiptar dhe se busulla e kosovarëve duhet të kthehet kah Perëndimi, e kurrsesi nga Lindja.

“Ne jemi një komb euroatlantik, kur ne ishim në telashe, SHBA dhe NATO ishin me ne, kështu që ne i përkasim këtij grupi”, ka thënë ai.

“Unë jam shqiptar, nuk jam mysliman, feja nuk është identiteti im i parë, e vërteta është se ne kemi ekzistuar për më shumë se 2000 vjet, para edhe Muhamedit apo Jezusit. Jetonim si të krishterë për shumë kohë dhe ne e pranonim fenë myslimane nëpërmjet administratës osmane “, ka shtuar më tej Haradinaj për MiddlEeastEye.

Në një fjalim të tij në një universitet në SHBA, në shtator të vitit të kaluar, Haradinaj ka rrëfyer origjinën e tij fetare. Ka thënë se ka lindur mysliman por nuk ndjehet si i tillë.

“Me gjenerata familja ime kemi qenë shqiptarë katolikë. Unë nuk e di pse jam musliman. Kurrë nuk kam qenë në xhami, as për lutje as për asgjë tjetër”, pati thënë Haradinaj.

E në prill të këtij viti, Kryeministri i Kosovës kishte dhënë intervistë për televizionin “Happy TV” të Serbisë. Edhe aty ka thënë se paraardhësit e tij kishin qenë katolikë shqiptar duke përmendur se paraardhësit mbanin mbiemrin Gjoka.

Kur Haradinaj u deklarua kundër deportimit të gjashtë gylenistëve në Turqi, i reagoi rëndë Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Media turke, pasi iu prish qejfi Erdoganit me komentet e Haradinajt, kishin zgjedhur çështjen e fesë për ta sulmuar.

Në mediat turke Haradinaj përshkruhej si adhurues i alkoolit dhe njeri që ka mohuar fenë islame.

Ndërsa në intervistën e fundit për “MiddleEastEye”, Haradinaj ka kthyer kritikat, ai ka marrë shembull Turqinë si shtet që viteve të fundit po largohet nga fryma properëndimore.

”Përvoja e Turqisë mund të jetë e dobishme. Ankaraja dhe BE hapën bisedimet e anëtarësimit në 2005, por negociatat janë ndalur, pasi pjesa më e madhe myslimane e 81 milionë njerëzve po “lëviz më larg” nga blloku”, sipas një raporti të fundit të BE”, ka thënë Haradinaj. /Express/

SHPËRNDAJE