Nxënësve po ua rrezikojnë shëndetin çantat e rënda

Ndonëse e shtyrë në moshë, Isme Hajdari po detyrohet çdo ditë mbesën e saj ta dërgojë në shkollë. Ajo gjithë këtë mund po e bënë vetëm për t’ia mbajtur çantën mbesës, pasi që është mjaftë e rëndë.

E si kjo gjyshe edhe shumë prindër e familjarë të tjerë në Kosovë obligohen që për shkak të peshës së çantave shkollore, fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkollë.

“Po çdo ditë i bie nipat e mbesat, e kam edhe një qikë të kunatit, katra i kemi, të gjitha çantat në dorë i kapi…Çantat e rënda edhe nuk kemi rrugë krejt lloç e kemi andej kombi nuk po hynë …I rrezikojnë se nuk po mundem me i qua si i kapin ulen…Me qenë diçka me bë mirë kish qenë“, ka shtuar ajo.

Me çantën e stërngarkuar po ka telashe edhe nxënësja Alkena Bequku, e cila vijon mësim në shkollën fillore “Rasim Kiçina” në Drenas.

Ajo pranon se për shkak të peshës së madhe të çantës prindërit e shoqërojnë gjithmonë deri tek shkolla në të cilën vijon mësimet në komunën e Drenasit.

Ajo kërkon që klasa e saj sa më shpejt të pajiset me rafte për vendosjen e librave.

“Kisha dashur me i pas dollapët për me i lënë pak libra këtu, tani me i marr pak ma lehtë“, ka shtuar ajo.

Sikurse, Bequku edhe nxënësi i klasës së dytë në këtë shkollë, Bertin Halilaj thotë se dëshira e tij e vetme është ta ketë çantën e lehtë.

“Po shumë, çdo ditë më përcjellin…kisha pas dëshirë me pas çantën e lehtë“, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët” Rasim Kiçina”, Rrahim Muleta ndonëse e konsideron shqetësuese peshën e çantave, thotë se në gjithsej 20 klasat sa i ka shkolla, vetëm tri janë të pajisura me rafte dhe kjo sipas tij është bërë me iniciativë të prindërve.

Muleta thotë se për shkak të çantave të mbingarkuara edhe sjellja e fëmijëve nga prindërit po u shkakton tollovi të madhe në shkollë.

Sipas tij, krahas kërkesave që iu kanë drejtuar në DKA ende nuk është ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim.

“Çanta e nxënësve është e ngarkuar apo mund të them e stërngarkuar sa që edhe bankat që janë të dedikuara për vendosjen e çantave ka që nuk mund të futet në dollapin e bankës…Është e rëndë  sidomos për ciklin e urtë duhet ta kem parasysh klasën e parë . Si shkollë jemi interesuar dhe në bashkëpunim me prindër kemi tri klasë që kemi krijuar dollapë  për t’i lënë tekstet që nuk iu duhen për mbrëmje, edhe kjo zgjidhje për momentin nuk po funksionin si duhet se prapë se prapë nuk po mundemi të krijojmë atë kulturë në atë nivel që nxënësit t’i shfrytëzojnë në maksimalisht dollapët e tyre në klasën që i kanë.“, u shpreh Muleta.

E në drejtorin komunal të Arsimit  në Drenas premtojnë se brenda vitit 2019, shumica e shkollave do pajisjen me rafte për lënie të librave.

Zëdhënësi i komunës së Drenasit, Bekim Dobra i ka thënë KosovaPress-it se komuna për këtë problem nuk ka ofruar zgjidhje deri tani për shkak të pamundësive buxhetore.

“Nuk kemi pasur mundësi buxhetore deri më tani të bëjmë një planifikim kur dihet se kërkesat kanë qenë më të mëdha për rregullimin brenda nyejve sanitare të shkollave, rregullimin e kulmeve, nxehjeve . Por për vitin 2019 drejtoria komunale e arsimit ka bërë planifikimin buxhetor që pjesa më e madhe e shkollave të rregullohet çështja e dollapëve për t’i vendosur fëmijët, nxënësit librat e tyre nëpër ato pjesë dhe mos të jenë më të detyrueshëm që t’i bartin çdo herë në shtëpi librat që nuk ndoshta e nevojshme”, ka thënë ai.

Çantat e stërngarkuara nuk janë vetëm problem i nxënësve të Drenasit, por po thuajse i të gjitha shkollave në Kosovë. Prandaj rekomandohet që sa më shpejt të bëhet zgjidhje e këtij problemi.

Rinor Qehaja nga Instituti ‘Edguard’, thotë se pesha e çantave në Kosovë është 18 për qind më e rëndë se sa pesha e lejuar.

Sipas tij, ky problem do të zgjidhjes përmes mësimi gjithë ditor, derisa të nevojshme e sheh rishikimin e teksteve shkollore, dhe vendosja e rafteve në shkolla.

Qehaja thotë se mungon vetëdijesimi i prindërve për të pasur më shumë kujdes rreth ndërrimit të librave karshi orareve mësimore.

“Hulumtimi që kemi bërë në shkollat fillore të mesme të ulëta në vendin tonë ka rezultuar që në veçanti cikli i ulët, klasat prej një deri në pesë kanë një mbingarkesë më të theksuar të  peshës së çantës kundrejt peshës së trupit që do thotë një tejkalim prej 18 për qind nga normat normale. Kjo bëhet shqetësuese pikë së pari për shëndetin e fëmijëve dhe pastaj për përqendrimin e tyre në proces mësimor si rezultat e dhimbjeve spontane çofshin ato në shpinë, apo çaf…Një hap tjetër është rishikimi i teksteve shkollore pasi që rezulton që vetëm 45 për qind e teksteve shkollore në përgjithësi mbulon gjatë një cikli mësimor, pra pjesa tjetër jo domosdoshmërish është e zbatueshme”, ka thënë Qehaja.

Për rreziqet që sjellë në shëndetin e fëmijëve mbi pesha e çantave të nxënësve ka folur edhe drejtori i Klinikë së Ortopedisë në QKUK, Arbër Tolaj.

Ai thotë se pesha aktuale e çantave të nxënësve mund të sjellë deformime kurrizore, pastaj probleme me frymëmarrjen, sistemin respirator dhe urogjenital.

“Prej moshës 3 vjeçare deri në moshën 10 vjeçare, më saktësisht 9 vite dhe 11 muaj çrregullimet apo deformitetet juvenilie që më së tepërmi janë të atakuara dhe quhen idiopatike … dhe në masë të madhe kishte me e ndihmua këtë devijim skoliotik është mbi pesha në këtë rast bartja e çantave… E rrit deformitetin e shtyllës kurrizore, pastaj nëse rritet ndryshimi skoliotik apo çrregullimi apo deforimiteti i kësaj shkalle ai ndikon edhe në mënyrë indirekte edhe në sistemin e frymëmarrjes, pastaj sistemin respirator, por mund të ndikoj edhe në sistemin urogjenital, varësisht a është forma e lakesës në anën e djathtë apo në anën e majtë“, u shpreh ai.

Ortopedi Tolaj ka rekomanduar që prindërit të kenë më shumë kujdes dhe çantat e fëmijëve të jenë ortopedike.

E lidhur me këtë problem serioz këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Fatmir Bytyqi i ka thënë KosovaPress-it se me nxjerrjen e teksteve të reja shkollore që pritet të ndodh në vitin e ardhshëm shkollor, problemi i çantave do të zgjidhet.

Sipas tij, kjo çështje do gjejë zgjidhje përmes mësimit tërë ditor, për të cilin MASHT ende nuk ka plan konkret se kur do të fillojë të aplikohet.

“Çështja e teksteve do të zgjidhet me 1 shtator 2019-2020 , që do të thotë se tekstet e reja do të jenë të gatshme flas për nivelin para fillor, për klasën para fillore, për klasën e parë edhe për klasën e gjashtë dhe të dhjetën dhe për klasën e dytë, për të shtatën dhe të njëmbëdhjetën. Do të thotë klasat para fillore një dhe dy me 1 shtator 2019-2020 ata do kenë tekste të reja të cilat do të peshojnë shumë më pak sesa tekstet aktuale që i përdorin…Për mësimi tërë ditor ministri veç ka parashikuar që në një komunë përmes DKA-së do të shkohet me pilotim. Dhe ne natyrisht do t’i identifikojmë komunën e cila është më e gatshme me infrastrukturë shkollore që ta zbatojmë mësimin tërë ditor”, ka deklarur Bytyqi.

Derisa mos gjejë zgjidhja çështja e çantave të rënda nxënësit duhet të vazhdojnë t’i bartin vetë çantat dhe kështu të rrezikojnë shëndetin e tyre, ose për bartjen e çantave të ndihmohen nga prindërit apo të afërmit.

SHPËRNDAJE