Opozita në Vushtrri ka miratuar Planin Zhvillimor Komunal, pozita e frustruar se mbeti pakicë e lëshoj seancën

Asambleja Komunale e Vushtrrisë ka miratuar sërish Planin Zhvillimor KomunaI 2016-2024 vetëm me votat e opozitës dhe tre asambleistëve të pozitës, pasi që shumica e pozitës e ka lëshuar seancën, si shkak i mos gjetjes së një qëndrimi të përbashkët dhe koncensusi për miratim të këtij plani nga pozita dhe opozita.

Seanca e jashtëzakonshme e së enjtës, e thirrur nga 19 asambleistë të opozitës dhe disa nga pozita, ka filluar së pari me një konsultë në mes krerëve të grupeve parlamentare të subjekteve përfaqësuese në KK të Vushtrrisë së bashku me kryetarin e komunës, Bajram Mulaku, i cili paraprakisht i ftoi të gjithë delegatët që të gjejnë një koncensus të përbashkët dhe të miratojnë planin, pasi që ky është me shumë rëndësi dhe jetik për qytetarët e kësaj komune.

Edhe pas një konsulte disa minutëshe mes kreut të komunës dhe përfaqësuesëve të subjekteve politike, nuk është arritur që të gjindet një koncensus sa i përket miratimit të planit. Pjesë e ndjeshme e këtij plani është pika 8, për të cilën opozita kërkon që kjo të jetë zonë ndërtimi, kurse pozita për zonë të gjelbëruar, e po ashtu edhe pjesa ku ka qenë stacioni i autobusëve, ku me plan figuron të jetë ende stacion, kurse pozita ka kërkuar që ajo shenjë të largohet dhe të bëhet zonë ndërtimi.

Për asnjërën nuk kanë rënë dakord pozita dhe opozita, që ka shtyrë pozitën, konkretisht asambleistët e PDK-së, por jo të gjithë, ta lëshojnë sallën, duke përfshirë edhe kryesuesin që vjen nga kjo parti. Më pas, mbledhjen e ka drejtuar asambleisti më i moshuar, Muharrem Shabani, dhe pas verifikimit të kuorumit të nevojshëm për mbajtje të seancës, është vënë edhe në votim Plani Zhvillimor Komunal 2016-2024, e që ka kaluar me 21 vota për dhe një abstenim.

Kujtojmë që ky plan është miratuar njëherë nga vet pozita, por që nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm për mbajtje të mbledhjes dhe anuluar nga MAPL-ja, ndërkaq herën e dytë është miratuar nga opozita e edhe këtë herë është anuluar nga MAPL-ja për shkelje procedurale. Kurse sot është herë e tretë që miratohet ky plan, edhe kësaj here nga opozita. /Vizioni.info/

SHPËRNDAJE