Osmani: Ideja për kufijtë s’është mbyllur përderisa aty janë Thaçi e Vuçiqi

eputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ideja për negocim për kufijtë mes Kosovës e Serbisë nuk është mbyllur plotësisht përderisa në këtë proces janë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në Rubikon të KTV-së, ajo ka thënë se me rëndësi të madhe për të ardhmen e dialogut do të jetë edhe pasuesi i Federica Mogherinit si ndërmjetësuese.

“Nuk është mbyllur tërësisht ideja për kufijtë përderisa në anën e Kosovës i involvuar në dialog është presidenti Thaçi dhe në anën tjetër presidenti Vuçiq, të dy këta që besojnë në këtë ide”, ka thënë Osmani, teksa e ka quajtur idenë të shekullit të kaluar.

“Megjithatë edhe pse nuk mund të jemi të sigurt që kjo temë është larguar 100 për qind nga tavolina, ka shumë rëndësi se kush do të jetë ndërmjetësuesi nga BE ndërsa nga Kosova kjo do të duhej të bëhej përmes zgjedhjeve të lira”, ka shtuar ajo.

Sipas Osmanit, këtij procesi duhet t’i bëhet një “reset”.

Osmani e ka quajtur takim të fshehtë atë të ekipeve teknike javën e shkuar.

Ajo ka thënë se nuk pajtohet as me dërgimin e Avni ARifit në takimin e procesit të dialogut.

Ajo ka thënë se kryeministri Haradinaj s’duhet të krekoset se me tetë deputetë ka mundur ta ndalë idenë e Thaçit.

“Ky është një gabim i madh sepse ai me tetë deputet nuk mund të çojë përpara asgjë dhe nuk mund të ndalojë asgjë e nuk do të duhej të krekoset se me tetë deputetë mund të ndalë diçka”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, pa qëndrueshmërinë e LDK-së, si partia më e madhe opozitare në vend, nuk do të mund të ndalej procesi i shkëmbimit të territoreve.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE