Osmani thotë se vetingu është parakusht për funksionim të sistemit gjyqësor

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny.

Ajo ka falënderuar ambasadoren për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit suedez për Kosovën, duke veçuar angazhimin e Suedisë në ofrimin e ndihmës përgjatë pandemisë COVID-19.

Në njoftimin e Kuvendit thuhet se temë qendrore e këtij takimi ishte procesi i vetingut në sistemin gjyqësor, Osmani potencoi se sundimi i ligjit është parakushti thelbësor për funksionimin e mirëfilltë të shtetit.

“Në këtë kontekst, Osmani potencoi rëndësinë e rishikimit funksional të sistemit gjyqësor, ku do të përfshihej edhe procesi i vetingut. Më tej, ajo theksoi se në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, në bashkëpunim me partner vendor e ndërkombëtar, do të përkrahë çdo nismë lidhur me vetingun në drejtësi”.

“Në këtë takim u diskutua edhe për çështje tjera që ndërlidhen me funksionimin e Kuvendit të Kosovës si dhe aktualitetin politik në vend”, thuhet në njoftim.

SHPËRNDAJE