Pacienti B. Arifi nga Prishtina refuzon kimioterapinë, zgjedh këshillat e Hetem Ramadanit

Hape pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë

Ka më shumë se dy muaj që ‘mjeku alternativ’, Hetem Ramadani, po i sfidon mjekët shqiptarë, saktësisht endokrinologët, duke thënë se diabetin mund ta shërojë brenda pak ditëve me anë të një diete. Por Ramadani siç duket “dijen” e tij për mjekësinë po e shfrytëzon edhe për sëmundje të tjera, përveç asaj të diabetit.

Tash, Ramadani ka filluar t’i trajtojë edhe pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit. Pacientin e parë e ka një 60-vjeçar nga Prishtina. Atë tashmë e ka udhëzuar me terapi. Madje, ky pacient e ka refuzuar edhe kimioterapinë. Ai thotë se në mënyrë strikte do t’i bindet recetës së mjekut alternativ, Hetem Ramadani.

Hape pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë

Ka më shumë se dy muaj qëkur B. Arifi, rreth 60 vjeç, nga Prishtina, është diagnostikuar me kancer në mushkëri. Ai është sugjeruar nga mjekët e QKUK-së që të fillojë me kimioterapi. Por Arifi këtë procedurë e ka refuzuar.

Ai para dy javëve ka vendosur t’u nënshtrohet terapive të mjekut alternativ, Hetem Ramadani, duke hyrë kështu me sugjerimin e Ramadanit në një dietë rigoroze që përmban kryesisht ushqime bimore dhe vitamina.

E gjendja shëndetësore e 60-vjeçarit po vlerësohet si e mirë. Djali i këtij 60-vjeçari, A. Arifi, ka deklaruar të mërkurën për Express se babai i tij po i vazhdon terapitë e përshkruara nga “mjeku alternativ”, Hetem Ramadani. Ai ka treguar edhe për terapitë me të cilat po kurohet prindi i tij.

“Terapitë është duke i marrë sipas mjekut. Por me konkludu rreth rezultatit është ende herët për arsye se ende është java e parë. Vitamina ka me pi si dhe ushqim të caktuar”, thotë A. Arifi.

Tutje ai sqaron për vendimin e babait të tij për ta refuzuar kimioterapinë. Procedurë mjekësore kjo e cila është pothuajse e pashmangshme për pacientët të cilët në trupin e tyre bartin kancer.

“Mjekët i kanë thënë që duhet me u futë në kimioterapi, ky nuk ka hy. Ka vendosë me e provu këtë mënyrën tjetër. Për momentin është mirë. Jemi në pritje të analizave. Ai (Hetem Ramadani), i ka thënë se trupi jot e shëron veten”, ka deklaruar djali i pacientit.
Ai thotë se analizat për shëndetin e babait të tij do të dalin gjatë këtyre ditëve.

E janë edhe dhjetëra kosovarë të tjerë të cilët po vuajnë nga sëmundje të ndryshme që po ia mësyjnë klinikës së Hetem Ramadanit, të cilën së fundmi e ka hapur në Tiranë.
E ndërkohë janë 3 fëmijë kosovarë, të cilët vuajnë nga diabeti e që janë duke i përdorur terapitë e Ramadanit. 9-vjeçarja Ariola Maliqi, 15-vjeçari Drilon Kryeziu tashmë po i përdorin këto terapi.

Por, mjekët e QKUK-së në vazhdimësi janë duke i kundërshtuar terapitë e Ramadanit, duke thënë se me to ai po e rrezikon shëndetin e pacientëve. Nga QKUK-ja besojnë se ushqimet e shëndetshme, që nuk e rrisin nivelin e glukozës në gjak, kanë efekt, por kjo nuk është parajsa për diabetikët, sepse metodat e Ramadanit nuk mund ta shërojnë sëmundjen e diabetit, e aq më pak duke ndalur komplet insulinën.

Ndryshe, Hetem Ramadani është njëri nga shqiptarët më të pasur në botë. Ai pohon të ketë kryer studimet për toksikologji-patologji, rrezatim, ndotje akustike. Tutje ai kishte themeluar kompaninë tregtare të naftës “Salbatring International”, pasi kishte migruar në vitet ’90 në Slloveni. /GazetaExpress/

Hape pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë
SHPËRNDAJE