Pacolli demanton Klan Kosovën: Kjo është e vërteta e “takimit” PAN- AKR!

Sekretari i Aleancës Kosova e Re, Rrahim Pacolli ka komentuar raportimet e mediave për një takim të sotëm të zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve të PAN-it dhe atyre të AKR-së.

Ai në një deklaratë të shkurtër për Gazeta Blic e ka mohuar një takim të tillë.

Sipas tij, nuk ka pasur kurrfarë takimi.

“As nuk është takuar, as nuk e ka ndërmend të takohet, me sa e di unë”, ka thënë ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, nuk ka kurrfarë marrëveshje me PAN-in.

Ndërkohë, para pak çastesh mediat kanë raportuar për një takim ndërmjet PAN-it e AKR-së, me qëllim konkretizimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Klan Kosova duke u thirrur në burime brenda Partisë Demokratike ka raportuar se në një takim të zhvilluar në periferi të Prishtinës është arritur pajtim mes palëve për të formuar qeverinë së bashku. Sipas të njëjtit burim, PAN është pajtuar t’i japë AKR-së ministritë që i ka kërkuar për t’u bërë pjesë e qeverisjes.

Në këtë takim raportohet se është përmendur edhe një premtim që vet Behgjet Pacolli i kishte bërë Ramush Haradinajt, kandidatit të PAN-it për kryeministër, derisa ky i fundit ishte në mbajtje në Francë.

Raportohet se Pacolli i kishte premtuar Haradinajt në Francë se po t’i duhej përkrahja e tij për kryeministër të qeverisë së ardhshme, atëherë ai do ta përkrahte.

Kundër arritjes së kësaj marrëveshje njoftohet të ketë qenë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Megjithatë, i kontaktuar nga Gazeta Blic, Bahtiri nuk është përgjigjur.

AKR e PAN pritet të dalin edhe me një konferencë për media (ditët në vijim) për të bërë të qarta detajet e marrëveshjes së përbashkët.