Pacolli nuk po heq dorë nga Hoteli Grand

Behgjet Pacolli ka vite që e llogarit si pronë të tij “Hotel Grand”-in, ani pse Gjykatat e vendit nuk e njohin si blerës.
Edhe sivjet në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Ministri i Punëve të Jashtme, njëherit zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, Hotel Grandin e ka futur në listën e pasurive të paluajtshme të tij.

Në bazë të deklarimeve të Pacollit, vlera e Hotelit dikur më me nam në Prishtinë, llogaritet të jetë 3 milionë e 630 mijë euro, shkruan Ndërtimi.info.

Media Ndërtimi ka provuar nëpërmes telefonit të kontaktojë me Pacollin, përfshirë edhe stafin e tij, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

E në Agjencinë Kosovare të Privatizimit kohë më parë për këtë hotel kishin thënë se për shkak të mospërmbushjes së kushteve të kontratës, AKP-ja në maj të 2012-ës, kishte vendosur të tërheq aksionet në ndërmarrjen e re “Grand Hotel” dhe ta kthej këtë ndërmarrje nën administrimin e vet.

“Hoteli Grand është Ndërmarrje Shoqërore Hoteliere e cila ishte shitur nga Agjenica Kosovare e Mirëbesimit në Valën 8 të privatizimit përmes metodës së Sppin-off-it Special, që është mbajtur në muajin tetor të vitit 2006. Blerësi i ri përveç çmimit 8 milionë e 160 mijë euro kishte për obligim që të investonte 20 milionë e 200 mijë euro gjatë periudhës së monitorimit dhe të punësonte 570 punëtorë. Për shkak të mos përmbushjes së këtyre kushteve të kontratës, Agjencia Kosovare e Privatizimit në muajin maj të vitit 2012 ka vendosur të tërheq aksionet në ndërmarrjen e re ‘Grand Hotel’ dhe ta kthej këtë ndërmarrje nën administrimin e vet”, kishte thënë zëdhnësi i AKP-së, Ylli Kaloshi.

Kaloshi kishte deklaruar se me datë 2 shkurt të vitit 2015, me vendim të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Grand Hotel është vendosur në proces të likuidimit. Kishte deklaruar se prej se AKP-ja e ka marrë nën kontroll të drejtpërdrejtë Grandin, kjo ndërmarrje ka pasur rritje të hyrash.

Madje, me këto para, ai kishte thënë se janë paguar edhe pagat e punëtorëve.

“Hoteli Grand aktualisht është në proces të likuidimit. Që nga marrja nën kontroll të drejtpërdrejt të ‘Hotel Grandit’ nga AKP dhe përfshirja e saj në likuidim, ndërmarrja ka pasur rritje të hyrash në veprimtaritë e saj, është arritur inkasimi i qirasë e borxheve, ndërmarrja ka arritur të paguaj shërbimet publike e komunale, të rrisë të hyrat nga bujtjet etj, si dhe të paguaj pagat e punëtorëve”, thuhej në përgjigjet e AKP-së.

Në këtë Agjenci thonë se AKP-ja është duke administruar me këtë Hotel i cili është i gatshëm për t’u ofruar për privatizim, qoftë edhe përmes ligjit për Investime Strategjike, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Shtojnë se AKP do të koordinohet me Qeverinë e Kosovës në gjetjen e investitorëve relevant nga fusha e hotelerisë në privatizimin e Hotelit Grand, aset ky i një rëndësie të veçantë.

“Bordi i Drejtorëve i AKP-së do ta trajtoj me kujdes rëndësinë e këtij aseti për ekonominë e Kosovës dhe do të merr vendim për hapat e ardhshëm, për çka opinioni dhe mediet do të njoftohen me kohë nga ana e Agjencisë”, kishin thënë nga AKP-ja për Ndërtimi.info.

Gjersa, deklarojnë se hotelin e kanë vizituar shumë kompani me renome ndërkombëtare.

Përpjekjet e dështuara për pronësi të Grandit

Në vitin 2007, me një marrëveshje të fshehtë, kompania e Pacollit përmes Zylqif Berishës, që më vonë do të njihej për një kohë si pronarë i këtij hoteli pagoi afro 6 milionë euro në garën për të blerë objektin ikonë të kryeqyetit të Kosovës.

“Paratë për blerjen e hotelit Grand janë paguar nga llogaria e Mabco Construction në Zvicërr dhe nëpërmjet bankës më të madhe zvicerrane UBS janë paguar për blerjen e 40 përqind të aksioneve të këtij objekti. Gjithashtu është dorëzuar projekti i detajizuar për investimet dhe për këto MABCO ofroi garancionet bankare për 39 milion euro investime, investim ky i cili përveçse do t’i jepte shkëlqim Prishtinës, do të punësonte gjithashtu punësimin e qindra qytetarëve”, kishte sqaruar gati një dekadë më vonë vet Behxhet Pacolli.

Punët, sipas Pacollit është dashur të fillojnë me përpikmëri sipas kontratës me Spin OFF gjatë vitit 2007.

“Por, grupet mafioze në Kosovë të mbështetur edhe nga politika, nëpërmjet mekanizmave që i kishin instaluar vet, bllokuan qdo gjë, nga ana tjetër, duke inkasuar paratë që ishin paguar nga Mabetexi nëpërmjet rrugëve legale bankare”, kishte thënë Pacolli.

Në dy vendime të gjykatave me të larta në Kosovë as ai e as kompania e tij, nuk njihen si blerës.

Kështu, në korrik të viti 2017, kompania e Pacollit “Mabco” me seli në Zvicër ushtroi padi ndaj shtetit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, përkundër faktit që për Hotelin Grand, në vitin 2015, kishte vendosur në formë të prerë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Të dyja kishin vendosur në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila e kthej në pronësi të vet Grandin pas problemeve me blerësit.

Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por edhe bazuar në vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe atij të Gjykatës Kushtetuese, padisë së Pacollit në Arbitrazh i mungon baza ligjore.

Kjo sepse gjykatat e të gjitha niveleve në Kosovë nuk e njohin atë si blerës të Grandit.

Në fakt, kompania e Pacollit “Mabco” dhe kompania “Eurokoha” kishin ushtruar padi në vitin 2014 për të qenë palë në rastin e Hotelit Grand, pas pretendimeve të tyre se kanë bërë investime aty.

Por, Gjykata Kushtetuese, si blerës legjitim e njeh vetëm kompaninë Union Comerce të Zylqif Berishës, por jo edhe kompaninë e Pacollit.

Gjykata kushtetuese në këtë rast mori dy vendime. E shpalli të papranueshme pretendimet e Union Comerce si dhe e vlerësoi si të papranueshme edhe kërkesën e parashtruesit Mabco Constructions dhe Eurokoha-Reisen, të cilët kishin kërkuar për të qenë ndërhyrës në anën e paditësit.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit e konfirmojnë se ky rast i ka kaluar tashme të gjitha shkallët juridike në Kosovë.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka tërhequr aksionet e Ndërmarrjes së Re Grand Hotel në vitin 2012 dhe të gjitha procedurat gjyqësore lidhur me këtë veprim ligjor të AKP-së kanë përfunduar me vendime gjyqësore përfundimtare në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Tani kjo ndërmarrje është në likuidim dhe Agjencia po e zhvillon këtë proces sipas ligjit në fuqi”, ka thënë zëdhënësi për media në AKP, Ylli Kaloshi.

Kaloshi kishte lënë të kuptohet se vendimi i Pacollit për të ushtruar padi ndaj shtetit në këtë rast, nuk kishte kurrfarë baze ligjore. Kjo për faktin se gjykatat në Kosovë nuk e njohin atë si blerës të Hotelit Grand.

E ndërkohë, kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behxhet Pacolli, përmes një postimi ne profilin e tij në ”Facebook”, kishte deklaruar se AKP-ja ia ka kërkuar 3 milionë 600 mijë euro ryshfet për t’ia transferuar pronën e Hotel Grandit atij.

”AKP e kriminalizuar, mua personalisht m’i kërkoj mbi 3.600.000 euro ryshfet për të ma transferuar pronën. Këtë kërkesë, unë e refuzova në mënyrë kategorike dhe e denoncova rastin në Polici. Njerëzit e AKP-së të hidhëruar që nuk mundën të përfitojnë për xhepin e tyre, vendosi ta kthej këtë objekt në pronësi të saj dhe sot i njejti është transformuar në një qendër të krimit, drogës e bixhozit”, kishte shkruar ndër të tjera Pacolli.

Në anën tjetër, zyrtarë brenda AKP-së, nuk e kishin komentuar shkrimin e Pacollit, duke shtuar se kushdo që ka fakte në lidhje me keqpërdorimin e privatizimit, duhet të raportojë tek organet përkatëse.

”Secili që posedon fakte për ndonjë keqpërdorim në lidhje me procesin e privatizimit duhet të raportojë tek organet përkatëse”, kishin thënë nga AKP-ja./Ndërtimi.info/

SHPËRNDAJE