Paga e lartë, pengesë për kalimin e Paul Pogba në Real Madrid

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, është shumë i interesuar t’i sigurojë shërbimet e Paul Pogbas, siç ka lënë të kuptohet në shumë raste në konferencat e tij për media.

Por, kalimi i mundshëm i mesfushorit francez në kryeqytetin spanjoll do të duhet t’i kalojë tri pengesa: Manchester Unitedin, Mino Raiolan dhe pagën e tij.

Real Madridi gjithmonë është treguar i kujdesshëm për të siguruar harmoni në hierarkinë e pagave, prandaj paga e Pogbas do të ishte problem i mundshëm brenda klubit.

Gazeta spanjolle “AS” shkruan se Pogba merr pagë neto në vlerë 17 milionë euro në vit në United. Nëse Real Madridi dëshiron ta transferojë atë edhe t’ia ofrojë të paktën pagën që ai merr aktualisht, atëherë do ta bënte atë futbollistin më të paguar në skuadër automatikisht.

Gareth Bale është lojtari më i paguar në Madrid, 15 milionë euro në vit, pas tij vjen kapiteni Sergio Ramos që i merr 11.8 milionë euro në vit.

Vështirë të thuhet se 26-vjeçari do të pranonte ulje të pagës për t’iu bashkuar Madridit, me gjithë dëshirën e madhe për të luajtur për gjigantin spanjoll. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE