Pagesa prej 170 euro nga Pako Emergjente: Deputeti i VV’së jep lajmin e papritur

Qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti kishte miratuar Pakon Emergjente Fiskale për të mbështetur bizneset dhe individët të cilët kanë hasur vështirësi gjatë pandemisë COVID-19.

Në këtë Pako është paraparë që punëtorët të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj, përkatësisht prill dhe maj. Deri më tani, edhe pas krijimit të qeverisë së re, shumë biznese dhe punëtorë ende nuk i kanë marr pagesat e premtuara.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte thënë se, nuk ka buxhet për të bërë pagesat e dyta për punëtorët nga Pakoja Emergjente.

Lidhur me këtë, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati për Telegrafin ka thënë se, këto pagesa mund të bëhen edhe pa rishikim të buxhetit.

“Pagesat e dyta do të mund të bëheshin edhe pa ri-shikim të buxhetit. Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, mund të bëhen transfere deri në 25 për qind ndërmjet kodeve buxhetore. Pra mjafton të shkurtohet asfalti, që të mund të kryhen pagesat”, tha Murati.

Ai ka shtuar se, edhe pse i është lejuar Qeverisë që të tejkaloj deficitin buxhetor, sipas tij, ende nuk ka pagesa për qytetarët.

“Në mungesë numrave për t’i kaluar projektligjet në Kuvend, kjo Qeveri jolegjitime dhe e paligjshme po mundohet që t’i bëjë presion opozitës për t’ia votuar projektligjet, nën pretekstin e pagesave për qytetarët. Një gjë të ngjashme e thanë edhe muajin e kaluar, kur kërkuan nga Kuvendi lejimin e tejkalimit të deficit. Pra, “na e lejoni tejkalimin, në mënyrë që t’i kryejmë pagesat për qytetarë”. Leja për tejkalim u dha, por pagesat për qytetarë ende as gjëkundi”, tha ai.

Edhe përfaqësues të bizneseve thonë se mospagesa e deritanishme e këtyre mjeteve është mungesë e vullnetit të qeverisë aktuale për t’i përkrahur bizneset dhe punëtorët.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi kishte thënë se, gjendja e shkaktuar nga pandemia COVID-19 nuk po merret seriozisht nga institucionet.

“Faktikisht Kuvendi i ka dhënë leje Qeverisë për tejkalim të kompetencave, për aspekt të buxhetit, kështu që në aspekt ligjor nuk ka hapësirë përpos që ka në aspektin faktik, do të kisha thënë një ngadalësim edhe mosinteresim i qeverisë për të përkrahur bizneset, apo mbështetur punëtorët që janë duke i pritur ato 170 eurot që janë jashtëzakonisht të vogla. Më shumë ka mungesë të vullnetit të Qeverisë dhe Kuvendit që ta marrin me seriozitet këtë gjendje të rëndë të vendit dhe përkrahje të biznesit”, kishte thënë Krasniqi.

Ai ka treguar se, deri më tani rreth 20 mijë punëtorë kanë mbetur pa i marr mjetet nga Pakoja Emergjente Fiskale.

“Ne si Odë e Afarizmit jemi shumë të shqetësuar për vonesat e zbatimit të pakos së parë, e cila jemi në fund të muajit qershor, ku ende nuk janë ekzekutuar pagat për muajin mars dhe prill. Ende nuk është ekzekutuar pjesa për një muaj, ku kanë mbetur rreth 20 mijë punëtorë t’i marrin pagat ku pjesa e dytë ende nuk ka filluar të zbatohet, ku qiraja kanë filluar të paguhen por me probleme. Këto pengesa janë ka ndikojnë shumë në mbarëvajtjen e biznesit por edhe krijimin e mundësive që bizneset t’i mbajnë këta punëtorë. Ne jemi në vazhdimësi duke i kërkuar nga qeveria, por përkundër kësaj deri më tani nuk kemi pasur veprim konkret nga qeveria”, ka treguar ai.

Kujtojmë se, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve ishte miratuar Pakoja Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.65 milionë euro, për t’i ndihmuar bizneset dhe individët që ta tejkalojnë krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

SHPËRNDAJE