Pajtohen Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut për lidhje ekonomike

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, së bashku me presidentin e Serbisë kanë arritur në një dokument të përbashkët që, ashtu siç u tha në konferencën në Novi Sad, do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe do të sjellë përparim ekonomik për të tre palët.

Presidenti serb Aleksandar Vucic theksoi se synimi është që qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut të kalojnë kufirin vetëm me kartë identiteti dhe kjo pritet të arrihet deri në vitin 2021.

“Dokumenti që do të shihni bazohet në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, pasi qytetarët tanë meritojnë një jetë më të mirë dhe më pak papunësi.

Qëllimi ynë është që të krijojmë mundësinë që deri në fund të 2021 të kalohet kufiri vetëm me kartë identiteti. Kamionët në Ballkanin Perëndimor humbasin 26 milionë orë pritje”, ka deklaruar Vucic.

Vucic, Rama e Zaev ishin këmbëngulës se ishte koha e fundit që vendet e rajonit të marrin në dorë fatin e tyre dhe të mos presin gjithmonë nga dikush tjetër të ju sjellë zgjidhjen e gatshme.

Një treg i përbashkët ekonomik mes shteteve me një popullatë të ndarë kështu si është nuk përfiton mjaftueshëm ishte qëndrimi i tyre i përsëritur nga të tre udhëheqësit.

Një treg me 20 milionë banorë do të ishte në përfitim për të gjithë popujt. Do të ulnim shpenzimet administrative për 6 %, theksoi Vucic.

Përfitimi i parashikuar në rritje ekonomike do të ishte për të tre partnerët afër 20 % shtoi Vucic. Ai shtoi edhe se paraqitja si ofertë bllok nga këto shtete për investitorët e huaj do të ishte mjaft joshëse për ta.

Ata kanë nevojë për oferta më të volitshme për fuqi punëtore dhe ulje të shpenzimeve, me marrëveshje ne i mbulojmë mungesat e njëri tjetrit dhe liria e lëvizjes na liron nga kjo pengesë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se askush nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk është përjashtuar nga apo mënjanuar nga ky partneritet. Të gjithë janë të mirëpritur.

Në fund të takimit është nënshkruar dokumenti i deklarimit të synimeve të përbashkëta, që si pikënisje kanë respektimin e katër parimeve të lirive të cilat i përfaqëson edhe Bashkimi Europian.

Ndërkohë, takimi i radhës midis tre shteteve do të zhvillohet më 10 nëntor, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe një muaj më pas liderët do të mblidhen në Shqipëri./gazetametro.net

SHPËRNDAJE