Pal Lekaj bëri shkelje të ligjit, KPMSHC ia rrëzon vendimin për emërimin e Sekretarit (DOKUMENT)

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, më 10 nëntor të vitit të kaluar e shkarkoi nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Nebih Shatrin, Ushtrues i Detyrës deri atëherë.

Në vend të Shatrit, ministri Lekaj e pati emëruar në pozitën e Sekretarit si Ushtrues Detyre, Betim Reçicën.

Reçica para se të emërohej Ushtruesit të Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MI-së ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të NJZP-së për projektin e ndërtimit të Autostradës Kijevë-Zahaq.

Në vendim thuhej se Betim Reçica do të ushtrojë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm me kompetenca të plota dhe me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi i datës 06 shkurt 2017 me të cilin ishte caktuar Nebih Shatri U. D. i Sekretarit të Përgjithshëm.

E për këtë vendim është ankuar Nebih Shatri.

Shatri ishte ankuar më 21 nëntor të vitit të kaluar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ballkani.info e ka siguruar vendimin e KPMSHC-së në bazë të së cilit aprovohet ankesa e Shatrit.

KPMSHC-ja e ka shfuqizuar vendimin e datës 8 nëntor dhe e ka obliguar ministrinë e Pal Lekajt që ta zbatojë këtë vendim në afatin prej 15 ditësh nga dita e pranimit të tij.

Sipas vendimit, Ministria e Infrastrukturës me nxjerrjen e vendimit për caktimin e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, ka vepruar në kundërshtim me nenin 16 të paragrafit 2 të Rregullores Nr. 06/2010 për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE