Paralajmërimi drithërues: Së shpejti fillojnë arrestimet nga Gjykata Speciale

Në valën e hetimeve të Prokurorisë Speciale, me seli në Hagë, janë shtuar edhe emrat e tre ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, të cilët duhet të paraqiten para këtij organi për intervistim.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili shërbeu si doktor gjatë kohës së luftës, Fadil Beka, dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, Fatmir Sopi e Sejdiu Veseli, janë figurat e fundit që janë ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale e Hagës.

Po ashtu të mërkurën mediet raportuan se edhe ministri i Drejtësisë në detyrë, Abelard Tahiri, ka marrë ftesë nga Prokuroria Speciale, gjë të cilën e pranoi vet ai.

Ndërkohë numri i personave të ftuar deri më tani nga Gjykata Speciale ka arritur të kalojë shifrën 100, teksa pjesë e intervistimeve ishin edhe figurat e rëndësishme të skenës politike në vend, si: kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti Sami Lushtaku, një ndër udhëheqësit kryesorë të Noredimës, Shukri Buja, Time Kadrijaj, Sylejman Selimi e shumë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Në anën tjetër përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së i kanë thënë gazetës se shumë shpejt priten edhe arrestimet e para, teksa avokatë të akredituar nga ky institucion kanë bërë të ditur se një gjë e tillë nuk mund të parashikohet ende.

Duke folur për këtë çështje kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, për “Zërin” ka bërë të ditur se është rritur numri i personave që janë paraqitur në OVL e të cilët kanë marrë ftesë nga Prokuroria Speciale.

“Ftesat janë shtuar. Të martën janë ftuar edhe dy persona, por janë më shumë se kaq, të cilët janë ftuar në cilësinë e dëshmitarëve. Ndër ta është Fatmir Sopi, anëtar i Kryesisë, njëherësh kryetar i Degës së Prishtinës, veterani i UÇK-së Sejdi Veseli dhe Fadil Beka, i cili ka shërbyer si mjek në kohën e luftës”, ka thënë Gucati.

Derisa ka theksuar se numri i personave të ftuar nga Specialja ka kaluar shifrën prej 100 personash, po ashtu ka thënë se shumë shpejt mund të priten edhe arrestimet e para.

“Deri tash është kaluar numri 100 i personave që janë ftuar nga ky organ. Pritet ditëve në vijim të ketë edhe ftesa të reja, të cilat do të bëhen publike. E kam theksuar edhe më herët që muajt shtator e tetor do të jenë më aktivë, sepse do të ketë shumë ftesa të reja për veteranë të UÇK-së. Sipas informacioneve jozyrtare, pritet që muajin tetor do të ngrihen aktakuzat e para”, ka deklaruar ai.

SHPËRNDAJE