Paralajmërohet pastrimi i Qeverisë nga zyrtarët që kan problem me ligjin

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se pas nëntë muajve punë të grupeve punuese dhe ekspertëve ndërkombëtarë, Kodi i ri i Procedurës Penale do të dërgohet në Kuvend gjatë muajit nëntor. Ai ka thënë se ndryshimi kryesor është pezullimi i zyrtarëve që kanë aktakuzë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se qëllimi i këtij propozimi është që nëpërmjet suspendimit të këtyre zyrtarëve të parandalohet keqpërdorimi i mëtejshëm i autoritetit dhe mos t’u lihet mundësia të ndikohet në prova, element ky kyç për të siguruar ndjekje penale të suksesshme.

Ai është shprehur i bindur se do ta gjejë mbështetjen e nevojshme nga shumica e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës për aprovimin e këtij kodi.

“Tekefundit, këto janë interesa të shtetit dhe të shoqërisë, si dhe obligime që Kosova ka marrë përballë MSA-së, Agjendës së Reformave Evropiane dhe procesit integrues”, ka deklaruar Tahiri.