Paraqitje shumë e mirë e Rashicës në takim me Lazion

Sulmuesi i krahut i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica ka marrë lëvdata nga ish-trajneri i Napolit, Andrea Agostinelli për paraqitjen në ndeshjen që skuadra e tij Vitesse e humbi nga Lazio me rezultatin 3:2.

Kjo ndeshje u zhvillua të enjten mbrëma në kuadër të xhiros së parë të fazës së grupeve të Ligës së Evropës. Rashica asistoi për dy golat e shënuar nga Vitesse, në minutën e 33-të dhe 57-të. Rashica mori notën më të mirë te skuadra holandeze.

“Është një lojtar që e njoh shumë mirë dhe padyshim një lojtar i madh që shënon nga shtatë apo tetë gola. Ai ka cilësi të shkëlqyera, është futbollist që Napoli, por edhe Lazio, Udinese e Milani e kanë ndjekur. Është vetëm 21-vjeçar dhe ngjan me stilin e lojës së Callejonit”, ka thënë Agostinelli për “iamnaples.it” të premten.

Rashica te skuadra e Vitesses u transferua në verën e vitit 2015 nga Vushtrria. Interesimi për sulmuesin e krahut është goxha i madh, e në veçanti e skuadrave italiane.

SHPËRNDAJE