Parashikojnë analistët politik: Këto koalicione parazgjedhore mund të ndodhin

Me të marrë alarmin se mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme është e pashmangshme, liderët e partive politike kanë filluar fushatë kundër njëri-tjetrit, përmes postimeve në rrjetet e tyre sociale e deklaratat e tyre publike.

Ndonëse pa përmendur emra, ata po thumbojnë njëri-tjetrin. Së fundi me gjuhë të ashpërsuar i është drejtuar liderit të AAK-së Ramush Haradinajt, Kadri Veseli i PDK-së, ndonëse mandatin e kaluar të lënë në gjysmë ishin në bashkëqeverisje.

Gjuha e përdorur, në njëfarë mase përcakton edhe afërsinë a animozitetin që po krijojnë mes vete.

Veseli ka folur për “acarimin e marrëdhënieve me ndërkombëtarët”, një aludim i qartë për Haradinajn. E, ky i fundit nuk ka pritur shumë që të kundërpërgjigjet, duke ia përsëritur Veselit, se marrëdhëniet e tij me ndërkombëtarët, kanë për bazë sinqeritetin e jo servilizmin.

Profesori universitar e analisti politik Rrahman Paçarizi, thotë se ky komunikim i tërthortë ndërmjet Veselit e Haradinajt ka origjinë te mungesa e koordinimit ndërmjet tyre. Ai ka thënë për Koha.net se kjo mungesë e koordinimit e ka bërë Kosovën partner të paqëndrueshëm dhe të pabesueshëm.

Sipas Paçarizit, duke u bazuar në deklaratat e të dy liderëve nuk është etike lidhja e ndonjë koalicioni, ani pse thotë se paniku i humbjes së pushtetit mund të sjellë gjithfarë koalicionesh.

“Normalisht që dikush me një grimë etike as që do ta shihte ëndërr në koalicion të ri ndërmjet PDK-së e AAK-së, por paniku i humbjes së pushtetit mund të sjellë gjithfarë koalicionesh, fatkeqësisht, pasi pothuajse kaq të acaruar dhe kaq akuzuese kanë qenë ndërmjet vete këto dy parti edhe para lidhjes së koalicionit PAN”, ka thënë Paçarizi.

Ndërkaq Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se akuzat mes PDK-së dhe AAK-së dëshmojnë mungesën e moralit dhe sinqeritetit në raport me interesin e përgjithshëm.

Sipas tij, një atmosferë e tillë është krijuar pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit.

“Politika e jashtme në Qeverisjen Haradinaj më shumë ishte e bazuar në vendime populiste dhe të pa koordinuara me shtetet aleate të Kosovës. Për më tepër si asnjë herë më parë, për çështje të interesit të përgjithshëm në aspektin e politikes së jashtme ka pasur qëndrime të kundërta në mes të Presidencës, ZKM dhe MPJ”, ka thënë ai.

Miftari për Koha.net thotë se të gjitha këto mospajtime kanë kaluar në heshtje në mes të partnerëve të koalicionit gjatë kohës që kanë qenë në qeverisje, përderisa kjo klimë ka filluar të ndryshoj dhe ashpërsohet pas dorëheqjes se Qeverisë, e që një gjë e tillë, thotë se dëshmon jo sinqeritetin e partive në pushtet.

E, ndryshe prej marrëdhënieve të acaruara Veseli-Haradinaj, të relaksuara duken marrëdhëniet mes Isa Mustafës e Albin Kurtit.

Mundësia e një koalicioni të mundshëm mes këtyre dy partive, ka zbutur edhe deklaratat dhe cilësimet për njëri tjetrin. Në vend të “argat i Serbisë” që e quante sa ai ishte kryeministër e Kurti në opozitë, ky i fundit Mustafës i është referuar si “profesor”.

E krejt këtë, Paçarizi po e sheh si vardisje të Vetëvendosjes ndaj LDK-së.

“Me duket se LVV ashiqare po i vardiset LDK-së dhe kjo ka anët e veta pozitive dhe ato negative. Negative është mungesa e orientimeve të qarta programore, pasi LVV e LDK kanë orientime programore krejt të kundërta dhe një histori të palavdishme marrëdhëniesh. Mirëpo, e mirë është fshirja apo relativizimi i të ashtuquajturave vija të kuqe që në të kaluarën janë dëshmuar të kenë qenë kauza të rrejshme elektorale”, thotë ai.

Zgjedhjet në vend pritet të mbahen në fund të shtatorit, respektivisht në fillim të muajit tetor, nëse deputetët votojnë për shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht.

SHPËRNDAJE