Parim Olluri: 9 fakte të tmerrshme për Kosovën që i dimë të gjithë, por heshtim

Shkruan: Parim Olluri

Me pak fjalë, kjo është Kosova: Emëron një të korruptuar në krye të Akademisë, fal vrasës fëmijësh, fal mbi 290 mijë euro të taksave tona për të nderuar disa banditë, pasuron familjet e politikanëve dhe emëron sekserë në krye të Qeverisë. Lista e të bëmave që dëmtojnë Republikën është e gjatë. Nuk mjafton as një roman për t’i përfshirë të gjitha.

Logoja jokreative, e cila duket se është e kopjuar, sipas shpjegimeve zyrtare ka edhe elemente të fishekzjarrëve. Normalisht, shteti do të lëshojë fishekzjarrët për ta festuar dhjetëvjetorin e pavarësisë, pasi qytetarët duket se nuk kanë edhe aq shumë vullnet.

Por, cilat janë të bëmat e tmerrshme të politikanëve tanë që bëjnë që qytetarët të mos jenë në disponim për të lëshuar vetë fishekzjarrët më 17 shkurt?

Lista e të bëmave është shumë më e gjatë. Më poshtë janë nëntë fakte që tregojnë se bosët e politikës po e ngufasin Republikën.

Janë të renditura nëntë shembuj që në Kosovë nuk janë të turpshme dhe lejohen, derisa nuk lejohen në shtetet e tjera:

1. Në Kosovë nuk është e turpshme që dhjetëra burra e gra që zyrtarisht posedojnë titullin akademik të mblidhen dhe të marrin këtë vendim: Nexhat Daci, i dënuar për keqpërdorim të parasë publike, mori votat që të bëhet kryetar i Akademisë së Shkencave.

2. Në Kosovë nuk është e turpshme që presidenti i Republikës të falë vrasës fëmijësh. Këtë e bëri duke liruar të dënuarit e procesit të njohur si rasti “Kiçina”. Askush nga opozita e as nga gjyqësori nuk guxon ta kritikojë për këtë vendim.

3. Në Kosovë lejohet që vëllezërit e presidentit të Republikës, Hashim Thaçit, të jenë milionerë, duke përfituar edhe nga projektet publike. Thaçi jep dhjetëra intervista në vit për televizione. Asnjë gazetar nuk guxon t’i bëjë pyetje për bizneset e vëllezërve.

4. Në Kosovë kryeministrit i lejohet edhe ky akt i neveritshëm. Kryeministri Haradinaj vendos që të ndajë mbi 290 mijë euro për familjet e disa banditëve të vrarë në Maqedoni. Askush nuk i kërkon llogari.

5. Në Kosovë ka ndodhur edhe kjo: Kryeministri teksa ka folur për vendimin e tij për të ndarë mbi 290 mijë euro për familjet e të vrarëve në Maqedoni, ka treguar se ka diskutuar paraprakisht me Abelard Tahirin, ministrin e Drejtësisë. Ka qeshur në studio televizive kur ka cituar Tahirin, i cili i ka thënë duhet shikuar bazën ligjore. Por, ministri nuk ka dhënë dorëheqje. Është ende aty edhe pse përqeshet nga kryeministri.

6. Kryeministri i vendit më të varfër në Evropë përzgjedh për pushime dimërore Saint Moritzin, njërin prej vendeve më të shtrenjta në botë. Kur pyetet nga gazetarët thotë se ka para edhe për tri pushime të tjera, por nuk ka kohë që t’i shpenzojë paratë. Asnjë prej këshilltarëve të tij nuk ka guximin që t’i tregojë Haradinajt se nuk duhet komunikuar kështu me qytetarët e varfër që i udhëheq.

7. Paraardhësi i Haradinajt, Isa Mustafa, i ka dhënë licencë për terminal kompanisë së drejtuar nga djali i tij, Arbeni. Nuk e ka lënë keq as djalin tjetër, Besnikun. E ka shpërblyer me BMË tenderin e famshëm. Por, në Kosovë kjo nuk është e turpshme. Është e lejuar. Ish-kryeministrit ende i referohen me epitetin “Akademik i respektuar”. Për çudi, ka edhe analistë që pohojnë se Mustafa ishte më i mirë si kryeministër sesa Haradinaj.

8. Derisa në vendet tjera sekserët qëndrojnë larg jetës publike, në Kosovë nuk është e turpshme që sekseri të emërohet zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës.

9. Lejohet dhe nuk është i turpshëm as ky veprim i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut dhe ministrit Dardan Gashi. Lushtaku këmbëkryq dhe Gashi pak më i kujdesshëm, në këmbë, gjuajnë me armë zjarri në një ndejë, duke rrezikuar jetën e njerëzve. Askush nuk guxon t’i dënojë këta dy “kreshnikë” për veprimet e tyre joburrërore.

SHPËRNDAJE