PARIM OLLURI: MENDËSIA KORRUPTIVE- NGJASHMËRIA MES ISMAIL QEMALIT E HASHIM THAÇIT

Shkruan: Parim Olluri

28 nëntori e 17 shkurti janë ditët e festave kolektive. Janë ditët në të cilat e rrisim volumin e nacionalizmit. Kujtojmë heronjtë. Por, në këto ditë duhet të kujtojmë edhe mëkatet e atyre që ishin fatlum dhe qëlluan aty rastësisht për të shpallur dy pavarësitë: Të Kosovës dhe të Shqipërisë. A janë ata më meritorët për këto ditë apo ishin vetëm dy politikan të korruptuar dhe fatlum?

Njerëzit sot, më 28 nëntor, habiten kur lexojnë shkrime të para 100 viteve që tregojnë për përfshirjen e Ismal Qemalit në afera korruptive. Iu duket e pabesueshme. Me gjasë, ngjashëm do të ndodh me ata që pas 100 viteve, më 17 shkurt, do të lexojnë shkrime për përfshirjen e Thaçit dhe familjarëve të tij, në afera korruptive.

Por, kjo është e përbashkëta e dy njerëzve që shpallën pavarësitë e dy shteteve: Shqipërisë e Kosovës. Dy njerëz fatlum që qëlluan rastësisht në momentin e duhur për ta realizuar qëllimin e madh. Dy njerëz që ishin më së paku meritor për ta bërë atë: Shpalljen e pavarësisë.

Përveç të qenit fatlum që të dy e kanë edhe një të përbashkët tjetër. Do të mbahen mend gjatë për mendësinë e tyre korruptive.

Mëkatet e tyre duhet kujtuar për çdo 28 nëntor e 17 shkurt. Këto data nuk janë vetëm për të festuar, por edhe për të kujtuar se kush çfarë në dy ditët e mëdha për shqiptarët: 28 nëntor 1912 dhe 17 shkurt 2008.

Ishte e rastësishme ajo që ndodhi më 17 shkurt të vitit 2008.

Nuk ishin bërë ende as një muaj që kur Hashim Thaçi ishte bërë kryeministër i Kosovës. Kishte shkelur me të dy këmbët ish- presidentin Fatmir Sejdiu dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Thaçi e kishte shpallur vetë pavarësinë e Kosovës. Mediat e afërta me të ishin kujdesur që ta glorifikonin shpallësin e rastësishëm të pavarësisë, i cili sapo kishte bërë një muaj në postin e kryeministrit të Kosovës. Shumica e mediave të asaj kohe ishin kujdesur që pavarësia e Kosovës të ishte në plan të dytë.

“Heroizmi” i Thaçit ishte në plan të parë. Bartësit tjerë institucional dhe mijëra kontribuues tjerë të bërjes së Kosovës shtet nuk ishin pjesë e kronikave të kohës. Në qendër të vëmendjes ishte njeriu që më së paku ka kontribuar në pavarësimin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçit i duhej ky glorifikim për të realizuar ëndrrën e tij. Të mbahej mend si Ismail Qemali i dytë ndër shqiptarë.

Por, a do të arrijë ta realizoj këtë?

Nëse lejojmë glorifikimin e mëtejmë të tij nga servilët që i rrinë afër. Nuk e kam fjalën për ata që i rrinë afër fizikisht. Bekim Çollakun, në këtë rast. Por, për gazetarët e opinion bërësit që i rrinë afër në këmbim të parave.

Ekziston rreziku që kjo ëndërr e Thaçit të realizohet. Të kujtohet si i vetmi meritor për pavarësinë e Kosovës. Që ne pas 100 viteve të festojmë me fotografinë e tij, varur në muret e lokaleve.

Megjithatë, shumëkush është skeptik që ai do ta realizoj këtë ëndërr.

Dikush beson se këtë do ta rrezikojnë përfshirja në afera korruptive e dy qeverive që ka drejtuar dhe e vëllezërve të tij. Shumëkush beson se marrëveshja për shitjen e veriut Serbisë do të pamundësoj glorifikimin e mëtejmë të tij.

Por, mëkate të ngjashme ka pasur edhe vetë Ismail Qemali. Edhe ia ka dalë mbanë. Ky është problemi më i madh. Megjithatë, Thaçi është 100 fish më i përfshirë në afera korruptive dhe në dëmtim të Kosovës se sa Qemali. Kjo duhet të ndikoj në mosrealizimin e ëndrrës së tij.

Ndërmjet këtyre dy njerëzve, Thaçit e Qemalit,  ka dallime shumë të mëdha. Mirëpo, ka edhe ngjashmëri shumë të mëdha.

Edhe Qemali ishte një njeri fatlum si Thaçi. Më së paku meritor për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ishte i rastësishëm në momentin e duhur. Derisa qindra të tjerë kishin kontribuar më shumë se ai, ishte diplomati i mençur i Perandorisë Osmane, Ismail Qemali, ai i cili ishte shfaqur në skenë për ta realizuar qëllimin e madh.

Të qenit fatlum nuk është ngjashmëria e vetme mes këtyre dy njerëzve.

Qemalin e Thaçin i bashkon edhe diçka tjetër: Akuzat për korrupsion

Thaçi ka drejtuar dy qeveri gjatë viteve 2008-2014 dhe është në forma të ndryshme në pushtet tash e dy dekada. Qemali nuk e kishte pasur këtë. Ishte shumë shkurtë.

Thaçi dhe njerëzit e tij, ministra e drejtor ndërmarrjesh publike, janë akuzuar për ryshfete të mëdha. Janë bërë multi milionerë.

Ngjashëm akuzohej edhe Qeveria e Ismail Bej Vlorës. Ato gjenden edhe në librin “Udhëtime në Ballkan: kujtimet e baronit Franc Nopça”.

Franc Nopça, aristokrat hungarez dhe albanolog,  e përshkruante si të korruptuar Babain e pavarësisë së Shqipërisë dhe vartësit e tij.

“…gjatë kohës kur në Vlorë qeveria e përkohshme kryesohej nga Ismail Qemali, i cili merrte ryshfete, bile ryshfete të mëdha u bë propaganda e madhe në Evropë për kandidatët e ndryshëm të fronit shqiptar”, thuhet në një pjesë të librit të njeriut që kishte studiuar Shqipërinë e asaj kohe. Nopça është një emër i respektuar për shqiptarët. Një rrugë në Shkodër mban emrin e tij.

Akuza të njëjta ndaj Qemalit kishte hedhur edhe Faik Konica.

Në një intervistë të dhënë në janar të 1914-ës, Konica e kishte përshkruar Qemalin si “njeri të korruptuar nga shpirti dhe nga zakonet, pa ideal dhe pa parime, i gatshëm për të gjitha kompromiset”.

Duke lexuar këto akuza, për një çast mendon se je duke lexuar për një njeri tjetër: Për Thaçin.

Për dallim prej Qemalit, ky ka më shumë jetëgjatësi në pushtet. Ka pasur fatin të jetë edhe më i korruptuar.

Por, tash 106 vite pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë përfshirja e Qemalit në afera korruptive i është lënë harresës. Duket e pabesueshme, për shkak se ai është shndërruar në një mit. Mbahet mend nga njerëzit vetëm akti i shpalljes së Pavarësisë. Kjo është ajo që Thaçi e kërkon nga kosovarët. Mos raportimin e aferave të tij korruptive dhe mbajtjen mend vetëm të aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga ai. Për këtë arsye, Thaçi ka blerë shumë media.

Për tu mos u mbajtur mend pasurimi i familjarëve të tij. Për tu harruar Geo Minerali i dyshimtë i vëllait të tij, Idrizit. Për tu mos u mbajtur mend Iliria Building e dyshimtë e vëllait tjetër të tij, Blerimit. E po ashtu, për tu harruar milionat e vëllait më të rëndësishëm për kah aferat korruptive, Ganiut.

Por, Thaçi duket se do ta humbasë këtë betejë. Nëse për Qemalin ende mbahen mend përfshirja në afera korruptive, atëherë të bëmat e tij dhe të vëllezërve do të mbahen mend edhe pas 100 vjetësh. Për një arsye të thjeshtë: Njerëzit besojnë se banditët pasurohen nëpërmjet hajnisë. Por, nuk kanë pasur pritje se këtë do ta bëjë edhe shpallësi i pavarësisë dhe familjarët e tij.

SHPËRNDAJE