Parisi po mbetet pa fanella të Neymarit

Paris Saint-Germaini mund të mbetet në mënyrë sensacionale pa fanella të Neymarit, pasi shitjet e fanellave të brazilianit kanë thyer të gjitha rekordet.

Klubi francez është vërshuar me kërkesa gjatë 30 ditëve të fundit, ku janë shitur mbi 120 mijë fanella të Neymarit, duke i sjellë klubit fitim prej 8.9 milionë eurosh.

Shitorja e klubit ka pasur një rritje të shitjeve prej 75 për qind për dallim me të njëjtën periudhë stinorin e kaluar, që mendohet se është inspiruar nga transferimi i sulmuesit brazilian Neymar, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.

Por influksi i blerjeve ka lënë PSG-në, që është i furnizuar me fanella të Neymarit deri në nëntor, të shqetësuar se mund të mbetet pa to.

Neymar ka shkëlqyer në ndeshjet e tij të para me Parisin, që nga transferimi nga Barcelona për një shifër rekorde prej 222 milionë euro. Ai është kthyer në lojtarin e adhuruar të tifozëve të Parisit, dhe po udhëheq skuadrën drejt fitoreve impresive me golat dhe asistimet e tij.

Në mesjavë Parisi triumfoi në xhiron e parë të Ligës së Kampionëve në udhëtim ndaj Celticut me shifrat 5:0. Neymar në atë ndeshje shënoi një gol dhe asistoi një.

Së bashku me Kylian Mbappen dhe Edinson Cavanin, kanë formuar një treshe të frikshme ofensive.