Pas injorimit nga Qeveria, minatorët e “Trepçës” sot kanë hyrë grevë të përgjithshme

Minatorët e Trepçës nga sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme, për shkak se Qeveria nuk i ka përmbushur kërkesat e tyre, ani pse është zotuar se Brenda dy javësh do të gjej një zgjidhje.

Grevën e minatorëve në një prononcim për Veriu.info e ka konfirmuar edhe Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së minatorëve të “Trepçës”, i cili ka thënë se greva nuk do të ndalet pa përmbushjen e kërkesave të minatorëve.

“Greva ka filluar sot në ora 9:00 dhe nuk do të ndërpritet deri në përmbushjen e kërkesave të minatorëve. Minatorët kanë hyrë në grevë për shkak se janë shter të gjitha mundësitë e dialogut me Qeverinë, pasi që paraprakisht ia kemi dhënë afatin dy javor të cilin e kanë kërkuar vet, por që ata nuk kanë reflektuar ende. Sot minatorët kanë marrë vendim për të hyrë në grevë të përgjithshme dhe besoj që greva do të vazhdoj deri në realizimin e kërkesave”, ka thënë Sadiku, duke bërë të ditur se grevës i janë bashkuar të gjithë minatorët.

Kryetari i Sindikatës së minatorëve të “Trepçës” për Veriu.info ka shpalosur kërkesat e minatorëve, e të cilat janë:

1.) Të gjitha vendburimet përreth minierës edhe zonat e interesit të Trepçës të përfshihen në draft-statut,

2) Problemet sociale të punëtorëve të zgjidhen edhe të shkojnë paralelisht në draft statut e të votohen në Kuvendin e Kosovës.

3) Të gjitha asetet e “Trepçës”  të futen me një nen të ri në draft-statut.

4) Aksionet e punëtorëve nuk janë te definuara as me ligj e as me draft statut, se kush është aksionar i 20%, e që duhet të definohen.