Pas lajmit të mirë për vizat, kjo është pengesa e vështirë deri të vendimi final

Komiteti LIBE i Parlamentit Evropian i ka hapur rrugë vendimmarrjes në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave për liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendimi final nga ministrat e brendshëm të vendeve të BE-së pritet të merret në takimin e fundit për këtë vit, që mbahet më 6 dhe 7 dhjetor. Kurse qytetarët e Kosovës pritet të lëvizin pa viza në zonën Schengen në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë për gazetën “Zëri” se Kosovës i mbetet të vazhdojë lobimin te shtetet e rëndësishme, si Gjermania, Franca e Holanda.

Kurse njohësit e integrimeve thonë se tani vendimmarrja brenda Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën hyn në një fazë intensive dhe se tre muajt e ardhshëm (shtatori, tetori dhe nëntori) janë vendimtarë.
Hoxha, ka thënë se pas vendimi të Komitetit LIBE puna e madhe për heqjen e vizave mbetet në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave.

“Tani puna më e madhe mbetet te vendimet në Parlamentin Evropian në seancën plenare, si dhe në Këshillin e Ministrave, ku në këtë rast janë ministrat e brendshëm. Është në vullnetin politik të secilit shtet anëtar se si do të votojnë në Këshill. Neve na mbetet të gjithë të lobojmë në secilin prej shteteve anëtare e sidomos te vendet si Franca, Gjermania dhe Holanda, që i kanë debatet e brendshme për migracionin”, ka deklaruar Hoxha, duke thënë se shpreson që të gjitha shtetet do ta marrin parasysh progresin dhe ta përshpejtojnë procesin e vendimmarrjes.

Ajo ka thënë se nëse ka vullnet brenda BE-së, atëherë procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të përmbyllet brenda këtij viti.

“Nëse marrim parasysh shembujt e shteteve të rajonit, nëse ka vullnet politik në shtetet anëtare procesi i vendimmarrjes mund të përmbyllet deri në fund të këtij viti, por është vështirë të parashikojmë se si do të votojë secili shtet. Prandaj është shumë me rëndësi që secili prej nesh të vazhdojmë lobimin e filluar”, ka përfunduar Hoxha.

SHPËRNDAJE