Pas takimit me ambasadorët Isa Mustafa tregon qëndrimin e qartë të LDK-së për dialogun

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka takuar gjatë ditëve të fundit, ambasadorin e Francës, Didier Chabret, ambasadorin e Italisë, Piero Cristoforo Sardi dhe atë të Norvegjisë, Per Strand Sjaastad.

“Biseduam për ecuritë e fundit politike në Kosovë, pikëpamjet dhe këndvështrimet e LDK-së për dialogun dhe rolin e saj si parti më e madhe politike në Kosovë”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

“Shpreha qëndrimin e qartë të LDK-së se vetëm përmes dialogut mund dhe duhet të zgjidhen çështjet me fqinjët dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”.

“Se, LDK është e përkushtuar që dialogu të zhvillohet nga institucione që kanë legjitimitet politik dhe kushtetues, të cilat duhet të dalin nga zgjedhjet e lira të parakohshme”.

“E shtruam nevojën që ky dialog të jetë transparent, të ketë pajtueshmëri dhe përfshirje sa më të gjerë, të përcaktohet formati, përmbajtja dhe objektivat që duhet të arrihen”.

“Theksuam se për LDK-në është e papranueshme të shtrohet çështja e kufijve ashtu siç është i papranueshëm një asociacion apo formë tjetër e autonomisë me kompetenca ekzekutive”.

“Ambasadorët shfaqën interesimin e tyre dhe gatishmërinë e tyre dhe të vendeve të tyre që të përkrahin Kosovën në rrugën e sajë eurointegruese, pjesë e rëndësishme e së cilës është normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me Serbinë, duke u shprehur për nevojën e një roli sa më aktiv të LDK-së”.

SHPËRNDAJE