Pas tërheqjes së Bankës Botërore, Qeveria kërkoi çare në Amerikë për Kosovën e Re

Qeveria e Republikës së Kosovës pas tërheqjes së Bankës Botërore nga mbështetja për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, tashmë është duke kërkuar ndihmë nga administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të sigurojë fondet e mjaftueshme për realizimin e projektit.

Kështu shkruan agjencia e lajmeve ‘Climate Home News’, e cila thotë se për këtë çështje me 28 shtator të këtij viti, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, janë takuar me zyrtarë të lartë të OPIC (Korporatë për Investime Private).

Mirëpo për detaje të këtij takimi , nuk kanë pranuar të flasin as nga zyra e kryeministrit Haradinaj e as zyrtarë të OPIC.

Zëdhënësi i OPIC, Andrea Orr, ka thënë se takime të tilla janë të rregullta me përfaqësues të vendeve në të cilat vepron kompania.

“Takohemi rregullisht me zyrtarët e qeverisë në vendet ku punojmë dhe këto takime mund të mbulojnë një varg çështjesh Ne nuk japim detaje specifike për këto diskutime”, ka thënë Orr, transmeton Gazeta Expresss.

Mirëpo faktin se Qeveria e Kosovës po kërkon fonde për realizimin e projektit ‘Kosova e Re’, e ka konfirmuar, James Jay Carafano, zëvendës president për politikë të Jashtme në Fondacionin Heritage i cili ishte i pranishëm në këtë takim që u zhvillua në Washington.

“ OPIC po jep kredi për të siguruar disa nga fondet për ndërtimin e termocentralit”, ka thënë Carafano për Cilamte Home News, transmeton Gazeta Express.

Carafano ka lobuar që administrata e Donald Trump të mbështesë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

“Unë mendoj se politika amerikanë duhet ta shfrytëzojë OPIC-un më shumë si instrument gjeostrategjik”, ka thënë ai, teksa ka folur për mundësinë që Rusia ta destabilizojë pjesën e Ballkanit Perëndimor.

OPIC është një agjenci publike që ofron financime dhe mbështetje të tjera për bizneset amerikane që kërkojnë të investojnë në tregjet në zhvillim..

Kompania e cila është kontraktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, Contour Global, e cila është kryesisht në pronësi të fondit për investime amerikane ‘Rservoir Capital Group’, ka marrë edhe më herët financa nga OPIC për projekte të mëhershme./GazetaEpxress/

SHPËRNDAJE