Pasi rrodhën bisedat, ku u bë pazari ndërmjet PSD-së e PAN-it, për miratimin e buxhetit, Albin Kurti ‘habit’ me këtë veprim

Derisa në opinion publik tema e rrjedhës së bisedave ndërmjet Dardan Molliqajt dhe zyrtarëve të PAN-it, për miratimin e buxhetit, është shumë e disktuar, Albin Kurti ka zgjedhur ta injoroj këtë çështje.

Ai këtë pazar të ish- bashkëpartiakëve duke mos e komentuar, ka publikuar fjalën që ka mbajtur dje në truezën “Kriza e mjedisit në Kosovë”, raporton Gazeta Blic.

Shënimi i plotë:

Fjala hyrëse në tryezën e djeshme “Kriza e mjedisit në Kosovë”

Zonja e zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Mirëdita të gjithëve, dhe, ju falemnderit që jeni bërë bashkë në këtë tryezë të rëndësishme për një temë shumë të rëndësishme.

Ndotja e ajrit, e ujit edhe e tokës, prerja e pyjeve, rrënimi i shtratit të lumenjve, ka marrë përmasa alarmante në Kosovë. Në veçanti, ndotja e rrezikshme e ajrit është njëra ndër simptomet që marrëdhënia jonë me mjedisin është zhytur thellë në krizë. Kriza tek ne është e rëndë, ndonëse edhe shumë vende të tjera, e bota në përgjithësi, nuk mund të lavdërohet me gjendjen që e ka. Kështu, në tetor të këtij viti, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshim Klimatik (IPCC) doli me një raport, ku bëhej thirrje për mbajtjen e temperaturave globale në një maksimum prej 1.5 gradë celsius mbi nivelet para-industriale. Tejkalimi i këtij tavani do të rriste në mënyrë drastike rrezikun e vërshimeve, thatësirave, nxehtësisë ekstreme dhe humbjen e biodiversitetit. Shenjat s’kanë qenë kurrë më të qarta se kemi nevojë për një përgjigje, edhe në nivel global, e cila do të ishte urgjente dhe transformuese ndaj krizës mjedisore, e që nënkupton një ndryshim rrënjësor
të strukturave ekonomike dhe shoqërore. Numri i studimeve shkencore që flasin për një krizë mjedisore në planetin tonë është pakrahasimisht më i madh sesa i atyre të cilat e thonë të kundërtën.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), vlerësohet se 90% e popullatës botërore thithë ajër të papastër, duke rezultuar kështu në rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në vit. Në shtator, ndotja e ajrit u shpall si rreziku më i madh mjedisor ndaj shëndetit publik në Evropë. Shkatërrimi iracional i mjedisit vë në pah disa kontradikta themelore të mënyrës sesi ne prodhojmë dhe konsumojmë. Kjo krizë hapë rrugën për një rishikim të thellë të qasjes sonë ndaj shfrytëzimit të ambientit, dhe, për një rimendim të hapësirës publike duke u bazuar në parime të drejtësisë sociale dhe jetës dinjitoze.

E, kur në kontinentin tonë ka një krizë, ajo me siguri që vije e shumëfishuar në vendin tonë. Prishtina është ndër qytetet më të ndotura në Evropë. Indeksi i cilësisë së ajrit është vazhdimisht në nivele alarmante. Vetëm mbrëmë, indeksi rendiste ajrin e Prishtinës në nivelin e fundit që paraqet nivel helmues. Për këtë, natyrisht se kontribuon edhe mënyra e qeverisjes në Kosovë, posaçërisht në Kosovën e pas shpalljes së pavarësisë.

Nuk ka investimeve serioze për sisteme të ngrohjes edhe pse mundësitë janë të mëdha falë termoelektranave. Rrjeti i Termokosit po shtrihet shumë ngadalë, dhe, nuk mbulon më shumë se disa lagje të Prishtinës. Çmimi i energjisë elektrike është rritur katër herë nga privatizimi i KEDS-it në vitin 2013, dhe, ky fakt, shtyn çdo herë e më shumë në përdorimin e lëndëve të tjera ekonomike si qymyri për ngrohje. Ajo industri që na ka mbetur, qoftë si pronësi publike apo e privatizuar, pavarësisht deklarimeve, nuk mbikëqyret e nuk sanksionohet për të mbajtur standartet e mjedisit. Aty ku pronësia është private edhe më pak ka mbikëqyrje mbi këto norma.

Nuk ka pasur, dhe vazhdon të mos ketë, asnjë projekt madhor të buxhetuar lidhur me krijimin e brezave të gjelbër në zonat e rrezikuara. Në buxhetin e Republikës së Kosovës, edhe në propozimin për vitin 2019, po ta analizosh, të krijohet përshtypja se Kosova nuk ka fare probleme mjedisore. Mjedisi, cilësia e ajrit, është temë e workshopeve apo prezantimeve, apo edhe e rezolutave të Kuvendit, dhe, kjo e 1 shkurtit të këtij viti i ka plot 18 pika, është një ndër rezolutat më voluminoze që kemi aprovuar, por ato nuk janë edhe pjesë të angazhimit konkret, institucional, politik e kulturor. Në këtë drejtim, edhe matjet për gjendjen e rëndë janë në nivele fillestare ndonëse kemi edhe institucione të veçanta për këtë fushë. Në përgjithësi, Kosova shumë më tepër lëngon nga institucionet e dobëta sesa nga ligjet e këqija. Sepse, ka ligje e rregulla, të cilët duken mirë e bukur, por kjo është veçse në letër. Ato nuk përkthehen në realitetin e qytetarëve përmes zbatueshmërisë së tyre.

Adresimi dhe zgjidhja për përmirësimin e cilësisë së ajrit trajtohet si projekt alternativ nga qeveritarët. A thua se kjo nuk ka të bëjë fare me jetën e qytetarëve tanë. Banorët e rajoneve të ndotura nuk kanë alternativë tjetër përpos të bashkekzistojnë me ndotjen dhe rreziku për ta nuk është sikurse për të tjerët. Ndonëse në përgjithësi në Kosovë ajri është shumë i ndotur, ka zona të superndotura.

Nuk është çështje e zgjedhjes së qytetarit, apo e njeriut, cilësia e ajrit. Cilësia e ajrit nuk është as çështje e tregut. Cilësia e ajrit është çështje e shëndetit, por mbi të gjitha, e të drejtës në jetë. Midis nevojave ekonomike e sociale që kanë qytetarët tanë, e drejta për ajër të pastër është më lart në hierarki se cilado tjetër.

Unë ju falenderoj për vëmendjen, pjesëmarrjen dhe kontributin që do të bëni në këtë tryezë, e cila shpresoj të rris vetëdijësimin qytetar e institucional për këtë problem urgjent me cilin ballafaqohemi jo për çdo ditë, por për çdo sekondë të jetës sonë.

SHPËRNDAJE