Pasioni i profesorit të gjeografisë për qentë e rrugës

Profesorin e gjeografisë tashmë në pension, Rashid Llapashtica e njeh i gjithë qyteti i Vushtrrisë. Shumë gjenerata, madje edhe kuadro shumë në zë, kanë kaluar përmes dorës së tij në gjimnazin e qytetit.

Por përveç kësaj, pakë njerëz e dinë edhe anën tjetër të profesorit. Ai i do shumë edhe kafshët. Në fakt dimrin e kaluar, në përpjekje të gjej strehë nga i ftohti dhe shumë e uritur, një qenushe kishte përfunduar në oborrin e tij. E profesori jo vetëm që nuk e kishte dëbuar, por madje edhe e kishte strehuar dhe ushqyer mirë, duke e adaptuar në shtëpinë e tij, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Këtë mirësjellje të profesorit e çmoj shumë Larushja siç e quan ai, e cila i qëndroi besnike dhe nuk u largua nga oborri.  Por pasi kishte pjellë dhe rritur 8 këlysh, për arsye të kontrollit të numrit të qeneve,  profesori kishte vendosur që ta sterilizoj Larushen e tij.

Pikërisht me këta qenë, një mjek veteriner në me ambulancën e tij, i përkrahur edhe nga një organizatë e huaj, po merret me trajtimin e tyre. Mjeku veteriner Zenel Zhabari, mendon se qyteti i Vushtrrisë për fat të mirë ka njerëz që i duan dhe kujdesën për qentë. Por ai thotë se e keqja është se në rrugë ka shumë prej tyre, por edhe qentë me pronar, shpesh për arsye të ndryshme përfundojnë në rrugë.

“Ne si ambulancë, të përkrahur edhe nga organizata ‘StrayCoCo’  jemi duke bërë trajtimin e qenve me pronarë në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ku bëhet sterilizimi, kastrimi, vaksinimi, pajisja me pasaportë e qeneve, e madje edhe krijohet baza e të dhënave për qentë”, ka thënë mjeku veteriner.

Sensibilizimi që fëmijët të jenë më miqësor me kafshët dhe me qentë

Krahas kësaj, ai thotë se kanë nisur edhe një fushatë sensibilizimi nëpër shkolla që fëmijët të jenë më miqësor me kafshët dhe me qentë.  Është shumë me rëndësi edukimi i brezit të ri lidhur me sjelljen me kafshët, e sidomos me qentë endacak, të cilët pa të drejtë shpesh ndodh të stigmatizohen në shoqëri si të rrezikshëm, e që në fakt nuk janë të tillë.

Krejt kjo po bëhet për arsye se njerëzit janë duke kontribuar në rritjen e numrit të qenve endacak duke i mbajt ata të pakontrolluar dhe të lirë nëpër oborre e  ferma.

‘Për menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate, duhet angazhimi i të gjithëve, institucioneve qendrore të shtetit dhe atyre komunale të cilat duhet të marrin rol shumë më të madh në këtë proces, pastaj veterinerëve, organizatave të shoqërisë civile, dhe qytetarëve që janë miqësor me qentë. Ky angazhim duhet të jetë afatgjatë në mënyrë që në vitet  në vijim të shihen efektet, pasi që nuk ka zgjidhje të menjëhershme të tij’, thotë mjeku veteriner. /Veriu.info/

 

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE