PDK: Mos u bësoni lajmeve të rreme të Gazetës Express

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj lajmit të publikuar sot në portalin Gazeta Express se kjo parti ia paska ofruar postin e kryeministrit, Bekim Jasharit, kryetarit të Komunës së Skënderajt.

Në një reagim të saj, PDK e quan këtë lajm të rrëmë, si pjesë e fushatës kundër PDK-së. Madje ka bërë thirrje tek qytetarët e vendit që t’i marrin me rezerva lajmet që publikohen në këtë portal.

Kjo është deklarata e plotë e PDK-së:

Zgjedhjet po afrohen, fushata elektorale ka filluar dhe bashkë me të lajmet e rreme dhe të porositura. Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart rolin e mediave në demokracinë e Kosovës dhe mbron bindshëm lirinë e fjalës. Madje, i respekton mediat edhe kur ato kanë anësi politike. Por, nuk do të pranojë manipulimin me lajme të rreme nga Gazeta Express.

Kjo web-faqe tashmë një kohë është futur në këtë valle me mision të qartë të goditjes së PDK-së me një armiqësi të pakuptueshme. Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i marrin me rezervë lajmet e Gazetës Express.

Zgjedhjet në Kosovë duhet të jenë festë, qytetarët duhet të zgjedhin më të mirën. Partia Demokratike e Kosovës, pavarësisht çfarëdo koalicioni që bëjnë partitë tjera, ka për qëllim që nga këto zgjedhje të fitojë Kosova dhe Kosova fiton vetëm me PDK-në.

Me këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës përsërit edhe një herë, në mënyrë të vendosur dhe pa ekuivok, se kandidati i vetëm për Kryeministër është Kadri Veseli.

Kadri Veseli me vullnetin e qytetarëve do të jetë Kryeministër i Republikës së Kosovës. Në Qeverinë e ardhshme, me Kryeministër Kadri Veselin, lufta ndaj korrupsionit do të jetë pa kompromis dhe mediat e lira e vërtetë profesionale të Kosovës do të jenë aleate në përpjekjet për të garantuar sundimin e ligjit dhe një të ardhme më të mirë për rininë e Kosovës.

SHPËRNDAJE