PDK po e “kërcënon” Qeverinë Haradinaj, vjen përgjigja e AAK-së

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj nuk sheh kurrfarë rreziku për Ramush Haradinajn pse Kadri Veseli po nominohet për Kryeministër për çdo ditë nga PDK’ja.

Deklaratat e nënkryetarëve të PDK-së për Veselin kryeministër, Nitaj i sheh krejtësisht të natyrshme.

“Është krejtësisht e natyrshme që një parti politike, në këtë rast PDK, ta nominojë kryetarin e partisë për kryeministër të ardhshëm. Po të ishte ndryshe, një parti politike as që do të ishte parti”, tha Nitaj në një përgjigje për Express.

Sot, dy profile të larta brenda PDK-së, të dy nënkryetarë, Enver Hoxhaj dhe Hajredin Kuçi, sot paralajmëruan Kadri Veselin kryeministër të Kosovës.

Në një moment Hoxhaj tha se besimi i qytetarëve në shtet bëhet veç me Veselin kryeministër.

A është ky fillimi i fundit të Qeverisë Haradinaj?

Muharrem Nitaj nuk sheh asgjë dramatike nga deklaratat e zyrtarëve të PDK’së. I konsideron si fushatë për zgjedhjet partiake.

“Çdo vlerësim tjetër përtej kësaj, ne këtë e shohim si pjesë të fushatës për zgjedhjet partiake në PDK. Është e drejta e tyre të vleresojnë se me cilën “kauze” përfitojnë më shumë”, përfundoi ai.

Sidoqoftë, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, e ka paralajmëruar ardhjen e Kadri Veselit në krye të Qeverisë. Ka thënë se fitorja e plotë e PDK’së dhe Veselit Kryeministër bëhet kur PDK do të fitojë edhe Prishtinën.

“Kryeministri i ardhshëm Veseli do të jetë edhe më i fort kur ta ketë qeverisjen edhe të Prishtinës”, ka thënë Kuçi, në Kuvendin Zgjedhor të PDK’së në Prishtinë.

Tjetri Zëvendës i Veselit në Parti, Enver Hoxhaj ka thënë se vetëm Shefi i PDK’së si Kryeministër e kthen besimin në shtet dhe te ndërkombëtarët pasi aktualisht Kosova është në pozitë të keqe.

“Shumë më pak ndërkombëtarë i besojnë Kosovën. Kjo gjendje rikthehet kur Kadri Veseli bëhet Kryeministër. Kjo kthehet kur Uran Ismailin e bëjmë Kryetar të Prishtinës”, ka thënë Hoxhaj, në Kuvendin Zgjedhor të PDK’së në Prishtinë.