PDK: Qeveria Hoti me skandale të pandërprera – ministrat Bajrami e Kuçi duhet të shkarkohen

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se skandalet e një pas njëshme të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, kanë dëmtuar integritetin e institucioneve publike të Kosovës.

Tahiri ka shpalosur tri aferat e fundit të qeverisë Hoti për të cilat ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkime të ministrave përgjegjës.

Ai tha në konferencë për media se shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit që hetonte aferat korruptive të zyrtarëve të lartë qeveritar, skandali i vjedhjes së 2 milionë eurove dhe tenderi 5 milionë euro i dhënë për kompaninë e ministrit Kuçi, nuk duhet do të kalohen në heshtje.

Për këto skandale të Qeverisë, deputeti Tahiri ka kërkuar dorëheqje e shkarkime të ministrave Hykmete Bajrami dhe Blerim Kuçi.

Deklarata e plotë e deputetit Abelard Tahiri:

Të nderuar përfaqësues të mediave

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës

Jemi duke përcjellë me shqetësim të madh, radhitjen e një pas njëshme të skandaleve të Qeverisë Hoti.

Përveç dëmeve të drejtpërdrejta, këto skandale kanë kulmuar edhe me dëmtimin e integritetit të institucioneve publike.

Dhe përderisa po shohim radhitjen e një pas njëshme të skandaleve, nuk po shohim kurrfarë përgjegjësie, as penale, as profesionale dhe as morale nga akterët përgjegjës të kësaj qeverie.

Jam këtu sot, për t’i ngritur tri çështje të domosdoshme, që s’mund të kalojnë pa përgjegjësi.

Së pari, e përsërisim edhe një herë, se shkarkimi i Task Forcës Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës, ka qenë një vendim i dëmshëm, i pa arsyeshëm, i pa bazë dhe i motivuar politikisht, për të goditur rendin dhe ligjin.

Task Forca Kundër Korrupsionit, ka qenë përgjegjëse për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë, dhe në shërbim të drejtpërdrejtë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në vend të inkurajimit për efikasitet kundër korrupsionit, Qeveria Hoti, ka inkurajuar kriminalitetin dhe korrupsionin, që në ditën kur ka marrë vendim për shuarjen e kësaj Task Force.

Pasojat e këtij vendimi, fatkeqësisht, do të shkojnë në llogari të institucioneve ligj zbatuese, agjendës tonë integruese, si dhe në llogari të vetë imazhit të Republikës së Kosovës.

Prandaj, ne kërkojmë nga Kryeministri Hoti që të reflektojë mbi vendimin që ka marrë për shuarjen e Task Forcës Anti Korrupsion dhe ta anulojë atë sa më parë.

Sepse pa një mekanizëm të tillë, është cenuar siguria juridike dhe besimi i qytetarëve në rend dhe ligj. Pa këtë Task Forcë, të sigurtë janë vetëm zyrtarët e korruptuar të nivelit të lartë.

Së dyti, Partia Demokratike e Kosovës, po ndjek me shqetësim të madh, mungesën e përgjegjësisë së anëtarëve të kësaj qeverie, lidhur me skandalet e fundit siç është rasti i dy milionëshit.

Afera e dy milionëshit, ka treguar qartë se me çfarë pasigurie po menaxhohet buxheti i taksapaguesve të Republikës së Kosovës nga kjo qeveri.

Tashmë kjo çështje është punë e Prokurorisë dhe Gjykatës, por besimi në menaxhimin institucional, si preventivë e abuzimit të kësaj natyre, është lënduar tërësisht.

Dhe për këtë skandal, ne nuk kemi parë llogaridhënie nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. As nga Kryeministri dhe as nga Ministrja e Financave.

Depërtimi kaq i lehtë në keqpërdorimin e buxhetit të Republikës, është një sinjal i pasigurisë që është dërguar tek partnerët tanë, tek investitorët e huaj dhe mekanizmat ndërkombëtar financiar.

Prandaj, gjithsesi se Ministrja Bajrami ka përgjegjësi morale për këtë rast.

Një akt i tillë kriminal brenda një institucioni me përgjegjësi kaq të madhe, duhet të shoqërohet me një akt moral, konkretisht me dorëheqjen e parevokueshme të Ministres.

Së treti, ne kemi parë edhe skandalin e pa precedent të aferës së tenderit të cilin e ka fituar kompania e Ministrit Kuçi.

Për afër 9 vitet e administratës ndërkombëtare, dhe 12 vitet e shtetit tonë sovran, nuk ka pasur një precedent të tillë të rrezikshëm për integritetin e institucioneve publike, sesa ky rast, ku kompania përfiton tender nga qeveria, në të cilën bën pjesë pronari i saj.

Pra, Kryeministri Hoti do të mbahet mend si tolerues i një precedenti të këtillë, aq të rrezikshëm e të pa pranueshëm, për të cilin, as ai dhe as ministri Kuçi, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim, e nuk janë ndjerë as të keq ardhur për një gjë të tillë.

Partia Demokratike e Kosovës, vlerëson se këto skandale, e kanë sfiduar më shumë se kurrë, integritetin e institucioneve publike, dhe e kanë lënduar më shumë se kurrë, besimin që qytetarët duhet ta kenë në institucione.

Përgjegjësia për këto skandale tashmë nuk është zgjidhje. Është detyrë. Prandaj ne kërkojmë nga Kryeministri Hoti, që përmes shkarkimit të këtyre dy ministrave, si dhe tërheqjes së vendimit për shuarjen e Task Forcës Kundër Korrupsionit, ta shënojë aktin e parë të ndaljes së degradimit të mëtejmë të qeverisjes në vend.

Natyrisht se ne dyshojmë se ai do të mund ta restaurojë imazhin e qeverisjes së mirë, por së paku, me këto hapa, ta ndalë degradimin e mëtejmë të institucioneve publike në Republikën e Kosovës.