‘Për fëmijët serbë në Kosovë, Adem Jashari është terrorist’. ‘A me shku me i arrestu nxënësit?’- Përplasja e ashpër Çollaku-Mushkolaj

Këshilltari i presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, Bekim Çollaku është përplasur ashpër në debat live me analistin Imer Mushkolaj.

“Nuk jemi duke diskutuar se a do të bëhet Kosova shtet apo jo. Nuk kemi duke negociuar se a do ta shpall Kosova pavarësinë apo jo. Ju lutem mos”, ka thënë Çollaku.

Atij i ka reaguar ashpër Mushkolaj.

“Ne jemi duke diskutuar se si do të bëhet Kosova shtet. Gjatë gjithë kohës Qeveria Thaçi ka pranuar bisedime edhe për çështje të rregullimit të brendshëm të Kosovës”, tha Mushkolaj.

“Çfarë rregullimesh të brendshme? Mos. Mos. Mos” – i replikoi Çollaku.

“Presidenti ka paralajmëruar reformim të sistemit të arsimit, shëndetësisë e gjitha gjërave tjera në veri. A ka ndryshuar diçka gjatë këtyre gjashtë viteve”- reagoi Mushkolaj.

“Qysh a ka ndryshu, në çfarë kuptimi. Sinqertisht s’po të kuptoj” – po i thoshte Çollaku i habitur nga pyetja e tij.

“Në veri shkollat mësojnë me sistem të Serbisë. Shërimin e bëjnë në sistem të Serbisë. Politikat sociale rregullohen sipas Serbisë”- sqarohej Mushkolaj.

“E ti do me jau ndalu ku shkojnë me u shëru ata a?. E shqiptarët e Kosovës që shkojnë për shërim në Gjermani e vende tjera? Ju po ankoheni pse qytetarët e Kosovës të komunitetit serb shkojnë për shërim në Serbi” – i reagoi Çollaku.

“Jo jo, nuk po flasim për Serbi, po për Kosovë. Këto struktura paralele serbe janë funksionale në Kosovë” – i tha Mushkolaj atij, i habitur se si ai s’po e kuptonte për çfarë e kishte fjalën.

“Në Kosovë janë more këto. S’po të kuptoj çka po thua” – i reagoi sërish Çollaku.

“Nuk janë në sistem të Kosovës. Mos na hidhni hi syve. Nxënësat e Kosovës në Graçanicë e Mitrovicë mësojnë se Adem Jashari është terrorist” – tha Mushkolaj i nervozuar, raporton Periskopi.

“E çka me ba. A me shku me i arrestu nxënësit a?” – i tha Çollaku.

“Thaçi duhet me na tregu qysh zgjidhen këto çështje. Unë s’paguhem prej presidentit me ju tregu se si”- iu kundërpërgjigj Mushkolaj atij.

Në fund, Bekim Çollaku tha se nuk është i kënaqur me këtë kulturë të debatit.

SHPËRNDAJE