Përfundon takimi i kryesisë së LDK-së, merret ky vendim

Pas takimit të djeshëm të kryetarit të VV-së, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, të dyja partitë politike kanë thirrur takimet e kryesive respektive për ditën e sotme, raporton gazeta online veriu.info.

Kryesia e LDK-së është mbledhur ditën e sotme në një takim maratonë për të diskutuar rreth koalicionit për bashkëqeverisje të këtij subjekti politik me Lëvizjen Vetëvendosje.

Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së partisë ka thënë se janë unik në qëndrime, ndërkohë sa i përket mundësisë së arritjes se një koalicioni për bashkëqeverisje, ka thënë se është e nevojshme që palët të bëjnë kompromise.

“Ne jemi unik në qëndrime. Kemi përafrime me VV’në. Takimet do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes. Do të vazhdojnë negociatat deri në arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje. Nuk kemi barrikedime. Jemi duke biseduar që së bashku të arrijmë deri në një marrëveshje”.

Se a do të këtë marrëveshje sot në takimin e pasdites mes dy liderëve, Mustafa ka thënë që kjo mbetet të shihet.
Mustafa ka thënë se për arritjen e një marrëveshje duhet që palët të bëjnë kompromise.

“Ne jemi duke ndërtuar mirëbesim me VV’në. Gjithë temat do të diskutohen në takimin e radhës. Pjesë e marrëveshjes është që të gjitha palët të bëjnë kompromise. Pra diskutimet do të vazhdojnë në tavolinën e negociatave”, ka thënë ndër të tjera Mustafa.

Ky takim erdhi pas zhvillimeve të djeshme ku lideri i Vetëvendosjes dhe ai i LDK-së zhvilluan bisedime të gjata për konkretizimin e marrëveshjes.

Takimet mes liderëve vazhdojnë edhe ditën e sotme, ku një i tillë është paralajmëruar për orën 16:00./veriu.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE