Përpjekja e dytë e pozitës për ekipin negociator, kjo po ndodh tani në Kuvend

Deputetët e koalicionit qeverisës kanë filluar të mbledhen në Kuvendin e Kosovës për seancën që do të fillojë në orën 14:00. Në hollin e kuvendit janë parë deputetët e AKR-së dhe disa deputetë nga PDK-ja.

Ndonëse opozita ka paralajmëruar se as sot nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës për ekipin negociator që do të përfaqësojë vendin në dialogun me Serbinë, deputetët e koalicionit qeverisës kanë filluar të mbledhen në Kuvend.

E se opozita nuk do të marrë pjesë, këtë e kanë konfirmuar zyrtarë nga partitë opozitare.

Ismet Beqiri ka thënë për Gazetën Express se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancë.

“Asesi jo. Normalisht qëndrimi jonë mbetet i qartë, nuk do të marrim pjesë në seancë dhe presim që të na vijë radha për seancën që e kemi thirr ne”, ka deklaruar Beqiri.

Ndërkohë edhe zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuqi i ka thënë Gazetës Express se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë, por vetëm atë që është thirrur nga opozita.

“Lidhur më këtë çështje, Partia Socialdemokrate e ka dhënë qëndrimin e saj që ditën e hënë, kur edhe është emëruar ky ekip negociator nga qeveria e Kosovës. PSD merr pjesë vetëm në seancën e thirrur nga opozita për dialogun”, ka thënë Kuqi për Express.

Njejtë kanë deklaruar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas vendimit të Kryeministrit Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj emërohet kryesues, ndërsa Enver Hoxhaj-zv’kryesues.

Ekipi tutje do të përfaqësohet nga anëtarët si Behxhet Pacolli, Dardan Gashi, Mahir Yagcilar si dhe Avni Arifi. Por, jo vetëm.

Kësaj liste, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka shtuar edhe nga një përfaqësues nga partitë opozitare: LDK, VV, PSD dhe Alternativa. E përveq tyre, në procesin e dialogut do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.