Përplasen ashpër Vetëvendosje dhe PSD

Kuvendi Komunal i Prishtinës po diskuton rreth kërkesës së qytetarëve lidhur me ndalimin e ndërtimit në afërsi të Liqenit të Badovcit dhe mbrojtjes së tij, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot lidhur me këtë çështje.

Kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti dha sqarimet lidhur me dhënien e kushteve ndërtimore për palën në fjalë.

Ai tha se kërkesa e tyre ishte refuzuar dy herë nga komuna, mirëpo sipas tij, mbrojtja e resurseve ujore bëhet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Le të lëshon vendimin Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me ia anulu kushtet edhe ne e ndryshojmë vendimin për 10 minuta. Kushtet nuk vlejnë pa pëlqimin mjedisor të ministrisë”.

“Plani Zhvillimor Komunal dhe Plani Urbanistik janë në fuqi. Nuk mundesh me i pezullu me vendim komunal ligjet të cilat janë në fuqi. Nuk mundesh me iu pezullu të drejtat askujt me plan që është në fuqi”.

Ahmeti u përball me replika të ashpra nga asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Sefa, të cilit i tha se “bëhet ambientalist kur sheh oportunitet”. E ky i fundit tha se Ahmeti nuk e mori guximin as të dalë në debat me qytetarët për të diskutuar rreth çështjes së Liqenit të Badovcit.

Halim Halimi nga LDK-ja tha se furnizimi me ujë për qytetarët e Prishtinës është i rëndësisë jetike, përderisa kërkoi rishikimin e kushteve ndërtimore dhe krijimin e Hartës Zonale.

Gjatë kësaj seance, asamblisiti i PDK-së Leotrim Retkoceri ka thënë se, si asamblistë, por të mbështetur edhe nga qytetarët, nuk do të lejojnë shkeljet ligjore në këtë çështje.

Ndërsa, Vala Peshku nga PSD tha se PDK dhe VV po mendojnë të arrijnë poena politikë me këtë çështje.

Kërkesa e Grupit të Qytetarëve për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit u prezantua nga Ali Sefaj dhe përmban tre pika.

Të anulohet Vendimi i Komunës së Prishtinës i datës 26.12.2019 për caktimin e kushteve ndërtimore z.Rahim Haradinit për ndërtimin e Lagjes në Badovc.

Të pezullohen të gjitha vendimet dhe procedurat për dhënien e Kushteve Ndërtimore dhe Lejeve Ndërtimore në Zonën I,II dhe III mbrojtëse të Badovcit, deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja të planifikimit (Hartës Zonale, Planit Zhvillimor Komunal dhe Planeve Rregulluese të Hollësishme)

Të fillohen procedurat që zonën përreth Liqenit të Badovcit ta shpallin peisazh të mbrojtur, duke e bashkuar me Peisazhin e Mbrojtur të Gërmisë dhe në vendim të shënohet që ndalohen të gjitha llojet e ndërtimeve në këtë zone.

Ndërsa Fatos Dibra nga Zyra Ligjore e Kuvendit Komunal bëri të ditur se kërkesat e qytetarëve, mund të miratohen si rekomandime – Kuvendi Komunal nuk anulon kushtet e ndërtimit.

SHPËRNDAJE