Përplasen në emision shoqëria civile dhe ministri i Mjedisit për ndërtimin e hidrocentraleve

Në emisionin Pressing në T7 është zhvilluar një debat për ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve mes Ministrit të Ambientit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Matoshi ka thënë se asnjë hidrocentral nuk posedon leje mjedisore. Mirëpo Kryetari i Shoqatës së prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme, Bekim Shyti, thotë se nga ministria është dhënë leja e pëlqimit dhe ajo është e nëjtë sikur leje mjedisore.

“Çka nënkupton pëlqimi mjedisor?”, thotë Shyti.

Mirëpo Matoshi thotë se leja për ndërtimin e hidrocentraleve dhe operimin e tyre e kanë dhënë qeverisjet e kaluara.

“E kemi gjetur gjendjen e tillë. Kemi qenë transparent gjatë gjithë procesit”, thotë Matoshi.

“Ky shtet ua ka dhënë të drejtën me ndërtu një hidrocentral investitorëve. Ne kemi kërkuar ndalimin e ndërtimit të tyre. Qytetarët ma kanë kërkuar që me ndalë punimet. Kuvendi duhet të kërkojë nga autoritet përgjegjëse që të ndalohen punimet.

Një investitor në Viti ka leje për operim. Nëse unë vendosi të ndali punimet ata kanë të drejtë të më dërgojnë mua në gjyq”

Tutje, Albulena Nrecaj nga iniciativa qytetare INPO, thotë se nënshkrimi i peticionit ka mijëra qytetarë, dhe dalja e tyre nëpër protesta kundër ndërtimit të tyre është fakt për këtë.

Muajin që shkoi, qytetarët e Shtërpcës, shqiptarë e serbë së bashku protestuan kundër ndërtimit të hidrocentralit në lumin Lepenc.

“Qytetarët nëpër gjithë Kosovën kanë nënshkruar peticionin kundër ndërtimit të hidrocentraleve”, ka thënë Nrecaj.

“Qytetarët janë kundër ndërtimit të hidrocentraleve”

Sami Stagova, nga OJQ Gjethi, thotë se ministria është dashur të ndërhyjë për të mbrojtur mjedisin dhe të inspektojë ndërtimet. Ai përmend shembullin e hidrocentralit në Deçan ku lumi është degraduar dhe atij në lumin Lepenc.

SHPËRNDAJE