Përplasje mes deputetëve të AAK-së dhe VV-së: Shpifje ndaj VV-së për ta mbrojtur presidentin

Pas akuzave të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu ka theksuar se organizatat joqeveritare po plaçkitin mësimdhënësit, ku një akuzë specifike e ka bërë në adresë të motrës së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arbërie Nagavci.

Haxhiu në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se organizata e motrës së deputetes Nagavcit, e cila po iu bën ftesë mësimdhënësve që të kryejnë këto trajnime, po përfiton padrejtësisht nga mësimdhënësit.

Por, kundër këtyre pretendimeve ka reaguar deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se deputetja Haxhiu ka shpifur dhe gënjyer publikisht për angazhimet e saj.

Ajo në profilin e saj në Facebook ka theksuar se për ata që nuk e njohin dhe për opinionin e gjerë, ka më shumë se njëzet vite sipas saj, që punon në fushën e arsimit në pozita të ndryshme dhe më shumë se dhjetë vite që është e angazhuar në trajnime, konsulenca e bashkëpunime tjera profesionale me institucione dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

“Shpifjet e Haxhiut ndaj LV-së dhe neve deputetëve të saj paskan qenë disa dhe të orkestruara, por është e kotë. Situata është e qartë, në përpjekjet për të ndihmuar PDK-në në mbrojtjen e presidentit Thaçi, AAK dhe partitë në koalicion po mbeten gjithnjë e më shumë të varura në vullnetin e Listës Serbe  . Kur s’mund e s’dini të punoni për përgjegjësitë që keni, merreni me shpifje, keqpërdorim e abuzim”, ka shtuar Haxhiu.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Nagavcit:

Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu paska keqpërdorur foltoren për të shpifur dhe gënjyer publikisht për mua dhe angazhimet e mia profesionale.

E tëra që mund të them për zonjën në fjalë është se më vjen keq të shoh se si ajo është edhe anëtare e Komisionit për Arsim, duke qenë krejtësisht jo kompetente e injorante në çështjet e arsimit e poashtu aspak profesionale apo e kujdesshme në aspektin etik.

Për ata që nuk më njohin dhe për opinionin e gjerë mund të deklaroj se unë kam më shumë se njëzet vite që punoj në fushën e arsimit në pozita të ndryshme dhe më shumë se dhjetë vite që jam e angazhuar në trajnime, konsulenca e bashkëpunime tjera profesionale me institucione dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Gjatë gjithë këtyre viteve kam pasur kënaqësinë e bashkëpunimit me institucione e organizata shumë kredibile dhe kompetente në fushën e arsimit siç janë: KulturKontakt (Austria); Këshilli i Evropës / Drejtoria për Qytetari dhe Pjesëmarrje Demokratike / Departamenti i Edukimit; GIZ / CDBE ; Pearson; KEC (Qendra për Arsim e Kosovës); GIZ IS & EU; BEP/USAID; MASHT; KRCT; KCIC; DRIT’ ; KEC; KAHCR; CIVITAS KOSOVA etj.

Angazhimet dhe bashkëpunimet e mia me këto organizata janë shumë profesionale dhe kanë ndodhur për shkak se jam e kualifikuar dhe certifikuar, e atë edhe me shumë certifikata ndërkombëtare.

Gjithnjë në punën time, kam respektuar plotësisht kërkesat profesionale, ligjore e etike, kam dhënë maksimumin tim, kam fituar përvoja të mira nga bashkëpunimet me kolegët dhe shumë mikesha e miq të mirë. Andaj dhe do të vazhdoj angazhimin tim profesional, duke dhënë kontributin tim sado modest në përmirësimin e cilësisë në arsim, ku rezultatet i kemi shumë të ulëta.

Edhe këtë fundjavë bashkë me shumë kolegë do të jemi të angazhuar në trajnimet e organizuara nga KulturKontakt Austria dhe MASHT, e gjatë fundjavave tjera të muajit në angazhime me trajnimet për Udhëheqje Arsimore dhe në punëtorinë e organizuara nga Këshilli i Evropës.

Unë do të vazhdoj punën dhe do të jap kontributin tim për përmirësimin e cilësisë në arsim, fatkeqësisht ka dhe të tillë që kanë zgjedhur që me shpifje, e dërdëllisje të mundohen të largojnë vëmendjen nga keqpërdorimet e shumta të qeverisë e pushtetit. Fundja këtu dhe nuk mund të ndihmoj shumë, secili punon, flet e vepron aq sa di e si është i edukuar.

Po të ishte e interesuar zonja Haxhiu, mund të pyeste për çfarëdo pyetje që ka pasur, mua ose organizatën apo thënë më mire organizatat me të cilat unë bashkëpunoj, mund të pyeste dhe mësimdhënësit të cilët kanë qenë pjesë e trajnimeve, por duket se qëllimet e saj janë tjera e të vetmen gjë që ajo e din është se foltorja e kuvendit i jep imunitet, andaj dhe e keqpërdorë atë, përndryshe nuk do të guxonte të bënte deklarata të tilla jashtë Kuvendit, pasi do të paditej për shpifje dhe do të paguante për shpifjet e saj.

Dhe në seancën e sotme, shpifjet ndaj LV-së dhe neve deputetëve të saj paskan qenë disa dhe të orkestruara, por është e kotë. Situata është e qartë, në përpjekjet për të ndihmuar PDK-në në mbrojtjen e presidentit Thaçi, AAK dhe partitë në koalicion po mbeten gjithnjë e më shumë të varura në vullnetin e Listës Serbe. Kur s’mund e s’dini të punoni për përgjegjësitë që keni, mirreni me shpifje, keqpërdorime e abuzim.

Ndryshe, Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, ka deklaruar se organizatat joqeveritare po plaçkitin mësimdhënësit.

Sipas saj, rreth 1 milionë euro për vjet ministria ndan buxhet për trajnime, e në anën tjetër bëhen ftesë publike që edhe zonja Nagavci i qon ftesa publikisht kandidatëve, mësimdhënësve, publikisht i fton të paraqiten sa më parë për shkak të numrit të kufizuar për këto trajnime.

“Pra, organizata që udhëhiqet nga Krenare Leshi që është motra e zonjës Nagavci, por unë i kam fakte që zonja Nagavci para tri dite ftesë publike i dërgon duke i thënë se duhet të vinë për shkak të numrit të kufizuar, pra mësimdhënësit po plaçkiten dhe po detyrohen të kryejnë trajnimeve”, ka theksuar Haxhiu.

SHPËRNDAJE