Përplasje mes Francës e Turqisë

Mosmarrëveshja midis Turqisë dhe Francës pas një konfrontimi në brigjet e Libisë po bëhet më e ashpër. Parisi largohet nga misioni i NATO-s “Sea Guardian” kurse Ankaraja kërkon që Franca të kërkojë falje.

Kancelarja Angela Merkel e quajti konfrontimin mes një fregate franceze dhe një skuadre luftanijesh turke para brigjeve të Libisë një “incident shumë të rëndë”. Edhe Presidenti Emmanuel Macron tha, se veprimet e Turqisë janë “të papranueshme”. Ai kërkoi një “sqarim të politikës turke në Libi, sepse ky është një kërcënim për Afrikën dhe një kërcënim për Evropën”.

Çfarë ndodhi para brigjeve të Libisë?

Më 10 qershor, fregata franceze “Courbet” iu afrua një skuadre prej tri luftanijesh turke që shoqëronin një anije civile që lundronte nën flamurin e Tanzanisë. “Courbet” ishte duke patrulluar në kuadër të misionit të NATO-s “Sea Guardian”, i cili ka ndër të tjera detyrë që të parandalojë kontrabandën e armëve. Pas kësaj turqit drejtuan radaret e kontrollit të zjarrit drejt fregatës franceze. Sipas interpretimit francez drejtimi i radarit të kontrollit të zjarrit shënon zakonisht një sulm të planifikuar.

Frankreich Türkei Präsidenten Emmanuel Macron und Recep Tayyip Erdogan (picture-alliance/AP Images/E. Feferberg /Pool)
Që nga ajo kohë Parisi dhe Ankaraja kanë nisur një përleshje me fjalë në të cilën është përfshirë dhe NATO.

Në operacionin “Sea Guardian” marrin pjesë Turqia, Spanja, Greqia, Italia, Gjermania, Spanja dhe – deri në tërheqjen e saj të martën – edhe Franca.

NATO mes fronteve të dy anëtarëve

Franca akuzon Turqinë për një lojë të dyfishtë: Ankaraja merr pjesë sistematikisht në kontrabandën dhe transportin e armëve për në Libi, megjithëse qeveria turke ka pranuar të monitorojë embargon e armëve brenda NATO-s dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar.

Sfondi i konfliktit është se Turqia me miratimin e Shteteve të Bashkuara po mbështet ushtarakisht kryeministrit libian Fajis al-Sarradsch. Që atëherë pozicioni i tij është përmirësuar. Franca, nga ana tjetër, është pozicionuar në krah të gjeneralit të milicisë Chalifa Haftar, të cilin nga ana tjetër mbështet me mercenarë dhe armë Rusia.

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu e shfrytëzoi vizitën e tij në Berlin të enjten (03.07) për ta sulmur përsëri Parisin: “Franca nuk i ka thënë të vërtetën BE-së dhe NATO-s” tha Cavusoglu duke shtuar se vendi i tij ia kishte dëshmuar këtë me raporte dhe dokumente Komitetit Ushtarak të NATO-s.

NATO ka konfirmuar ndër kohë se është kryer një hetim dhe se së shpejti rezultati do të diskutohet në Komitetin Ushtarak. Ndërkohë operacioni “Sea Guardian” do të vazhdojë veprimtarinë e vet./dw

SHPËRNDAJE