Përplasje në kufi mes ushtarëve indianë e kinezë, disa të lënduar

Ushtria indiane tha të dielën se disa ushtarë indianë dhe kinezë janë lënduar gjatë një përleshjeje me grushte dhe goditje me gurë në një pikëkalim kufitar afër Tibetit.

Kina dhe India, vende që kanë armë bërthamore, kanë pasur tensione të gjata për kufijtë. Në vitin 1962, këto shtete e kishin zhvilluar një luftë të ashpër në rajonin verilindor indian, Arunachal Pradesh.

“Sjellja agresive nga të dyja palët rezultoi në lëndime të lehta të trupave. Grindja dhe hedhja e gurëve përfundoi në luftë me grushte”, tha zëdhënësi i Komandës Lindore të ushtrisë indiane, Mandeep Hooda.

Ai shtoi se mosmarrëveshja në pikëkalimin kufitar që ndodhet rreth 4,500 metra mbi nivelin e detit më vonë u anashkalua përmes dialogut dhe ndërveprimit. Mediet indiane raportuan se në këtë incident ishin të përfshirë 150 ushtarë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Incidente të ngjashme mes rojeve kufitare të Indisë dhe Kinës kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Në vitin 2017, ushtria indiane kishte dërguar trupa në një zonë kufitare për ta penguar Kinën gjatë ndërtimit të një rruge. Mosmarrëveshja kishte zgjatur dy muaj.

SHPËRNDAJE