Përveç LDK-së, Albin Kurti kërkon koalicion edhe me një parti tjetër!

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti sot ka shkruar sërish në lidhje me formatin e mundshëm të qeverisë së ardhshme, shkruan Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme bëhet qeveri e mirë e së nesërmes dhe sipas tij asisoj do t’i kenë së paku 70 deputetë.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

“Koha që u ka mbetur është vonesa që e shkaktojnë. Dikur ajo matej me muaj, tash me javë, e së shpejti veçse me ditë të numërueshme. Ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër.

Meqë 22 gushti u la për shpërndarjen e Kuvendit, i bie qe zgjedhjet e reja të jenë me 22 apo 29 shtator, ose 6 tetor. Pra, do të kemi pranverë në vjeshtë. Fitorja jonë në këto zgjedhje e fut shpresën në zemrat e qytetarëve për ta nxjerrë shtetin nga kriza e dështimi.

Duhet të fitojmë e do të fitojmë. Mirëpo, kësaj radhe është e mundur që të fitojmë edhe para zgjedhjeve!

Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë. Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare.

Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t’i kemi pikërisht pas fitores. Sepse menjëherë duhet të ndryshojnë lajmet e mbrëmjes me qeverisjen tonë të re. Jo më skandale qeveritare por luftim i krimit dhe korrupsionit. Jo më emigrim porsi ekzod por punësim pa diskriminim. E kështu me radhë…”./Gazeta Blic

SHPËRNDAJE