Plani i Hashim Thaçit: Të zvarrisë sa më shumë zgjedhjet, dhe i papenguar të vazhdojë bisedimet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka një “plan” të tij pas dorëheqjes së parevokueshme të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Burime të Gazetës Blic kanë bërë të ditur se Hashim Thaçi do të mundohet sa më shumë të jetë e mundur të zvarrisë mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Dhe kjo, me qëllimin e vetëm që ai të vazhdojë bisedimet me Serbinë i papenguar nga askush.

“Thaçi do të mundohet që të formojë qeverinë e re, pa pasur nevojë fare të shkojë në zgjedhje. Nëse ky plan i dështon, ai nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të blejë kohë”, thonë këto burime.

Ndërkohë, derisa AAK, VV, LDK, PSD e Nisma po kërkojnë zgjedhje të reja, ai deri më tani nuk e ka dhënë asnjë deklaratë.

Krejt çka ka deklaruar Hashim Thaçi, që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, është në lidhje me ftesat e Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se së fundi janë ftuar disa ish- drejtues të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij”, ka shkruar ai Thaçi.

“Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush! HTH”, ka përfunduar shkrimin e tij në Facebook.

Ndërkohë presidenti i Francës, Macron ka parlajmëruar vazhdimin e Samitit të Berlinit, ku tema kryesore do të jetë marrëveshja Kosovë- Serbi.

Në media është spekuluar se kah fundi i vitit të organizohet një takim i dy delegacioneve edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka kundërshtuar fuqishëm një ide të tillë. Madje, ka paralajmëruar se do të ketë edhe luftë nëse do të provohet të shtyhet një ide e tillë./Gazeta Blic

SHPËRNDAJE