Pleqtë e LDK-së ‘kujdesen’ për sigurinë e Abrashit përderisa ai flet para mediave

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, ku për zhvillimet në kryeqytet ka folur Arban Abrashi, i cili ishte kandidat për kryetar në zgjedhjet e kaluara komunale.

Megjithatë, ajo që është vërejtur në këtë konferencë është se të pranishëm aty, para kamerave, ishin edhe tre pjesëtarë të gjeneratës së vjetër të LDK-së.

Në një tavolinë, të pozicionuar çuditshëm para foltores ku Abrashi i drejtohej mediave, të ulur ishin edhe Shefki Gashi, Agim Gashi dhe Halim Halimi, prania e të cilëve ishte fare e panevojshme. Megjithatë, ata vazhdonin të rrinin aty, si rojtarë të Abrashit.

Duket se përkundër kalimit të kohës së tyre në politikë, ata vazhdojnë t’i mbajnë gjallë ambiciet që i kanë. Edhe pse nuk kanë çfarë për të thënë, mjaftohen me paraqitje para kamerave. Pra, ende insistojnë të duken, të dëshmojnë që janë të gjallë politikisht.

Për LDK-në është folur shpeshherë për rivalitet mbi drejtimin e partisë nga gjenerata e vjetër dhe ajo e re. Gjenerata e vjetër e LDK-së, që shpeshherë iu ka bërë asistuese PDK-së në synimet e saj, po bëhet gjithnjë e më jolegjitime në perceptimin popullor. /Periskopi/

SHPËRNDAJE